Telegrafi

Publikoi lajmin se ROSU do të shkojë në Mal të Zi, gjykata në Podgoricë i shqipton masën e arrestit prej 72 orëve redaktores përgjegjëse

Redaktorja përgjegjëse e portalit “FOS Media”, Anxhela Gjikanoviq, 26-vjeçe, dyshohet për shkaktim të panikut dhe trazirave në Mal të Zi.

Pas seancës dëgjimore në gjykatën e Podgoricës, asaj i është caktuar masa e arrestit prej 72 orëve, transmeton Telegrafi.

Avokati i saj Millosh Vuksanoviq, ka deklaruar se Gjikanoviq në seancë ka mohuar akuzat ndaj saj dhe ka paralajmëruar ankesë lidhur me vendimin e marrë.

Lexo po ashtu Arrestohet redaktorja e portalit malazez që publikoi lajmin e rremë se Forcat Speciale të Kosovës janë në dispozicion të Malit të Zi

Sipas policisë së Malit të Zi, Gjikanoviq si redaktore përgjegjëse e portalit “FOS Media” dhe njëherit si autore e tekstit të publikuar në këtë portal me titullin “FOS mëson: Pjesëtarët e njësisë speciale të Kosovës në dispozicion të Malit të Zi me rastin e Krishtlindjeve Ortodokse”, ku sipas saj rreth 250 pjesëtarë të njësisë speciale të Kosovës do të jenë në dispozicion të organeve të sigurisë së Malit të Zi në ditën kur pritej të ndodhnin tubime në Podgoricë, duke shkaktuar kështu me këtë lajm panik në opinion me lajme të rreme.

Ajo është dënuar nën akuzën për shkaktim të panikut dhe trazirave. Në anën tjetër zyrtarë policorë kanë bërë të ditur se ky tekst i publikuar ishte plotësisht i pa vërtetë, dhe se sipas tyre është një tentim tjetër për shpërndarje të dezinformatave. /Telegrafi/