Një person me inicialet E.O i moshës 26 vjeçare kishte postuar në rrjetet sociale një fotografi me armë zjarri, në fshatin Burrnik të Ferizajt.
Siç bëhet e ditur Policia menjëherë pas pranimit të informatës nisi hetimet duke identifikuar të dyshuarin, si dhe kanë intervistuar edhe pronarin e armës me inicialet V.A, i cili e posedonte armën me leje.
“Më datën 30.01.2025, rreth orës 21:40, policia e stacionit në Ferizaj ka pranuar një informatë se në fshatin Burrnik të Ferizajt, një person kishte publikuar në rrjetet sociale një fotografi me armë zjarri.
Pas pranimit të informatës, hetuesit policorë, nën autorizimin e prokurorit të shtetit, kanë nisur hetimet dhe kanë arritur të identifikojnë të dyshuarin E.O. (M/K), 26 vjeç, i cili më datë 26.01.2025 kishte postuar fotografinë. I dyshuari është ftuar në stacionin e policisë në Ferizaj, ku më pas është intervistuar edhe pronari i armës së zjarrit, V.A. (M/K), 36 vjeç, i cili e posedonte armën me leje”, thuhet në njoftim.
Tutje sipas njoftimit, me vendim të prokurorit të shtetit, të dy personat janë liruar për procedurë të rregullt hetimore, ndërsa si provë materiale është sekuestruar një armë zjarri (pistoletë) me 18 fishekë.
“Ndaj tyre është iniciuar rasti për veprën penale ‘Mbajtja në pronësi, kontroll ose posedim i paautorizuar i armës apo mjetit të rrezikshëm’ “, thuhet ndër të tjera në njoftim. /Telegrafi/