Këngëtari Luiz Ejlli është një prej konkurrentëve më të përfolur të shtëpisë së Big Brother VIP Albania.
Ai i ka bërë për vete shumë shikues me humorin e tij dhe karakterin e fortë në debate dhe diskutime të shumta me banorë të tjerë.
Ndonëse shumë shikues janë njoftuar më mirë me të falë këtij spektaklit, Luizi ka qenë një emër mjaft i njohur për dashamirësit e muzikës.
Kjo pasi rrugëtimi i tij profesional kishte filluar qysh në spektaklin e talenteve, “Ethet e së premtes”, që dikur ngërthente para ekranit plot shikues të RTSh-së.
E kur jemi te ky spektakël i talenteve, në kanalin YouTube është publikuar një video nga momenti kur Luizi ishte prezantuar për herë të parë në “Ethet e së premtes”.
Videoja tregon se si Ejlli e nis konkurrimin e tij me një lutje në formë kryqi, gjersa interpreton një këngë të njohur italiane.
Në fund, ai merr aprovim nga juria për t’u kualifikuar në fazën tjetër, gjersa në studio plasin të qeshurat kur ai nuk e kupton me të parën se ka fituar një ‘Po’, për fazën e radhës.
Luizi përndryshe më pas fitoi Festivalin e RTSh-së në dhjetorin e vitit 2005 dhe përfaqësoi Shqipërinë në ‘Eurovision 2006’ me këngën “Zjarr e ftohtë”. /Telegrafi/