Trajneri i Moldavisë, Engin Firat ka mbetur i kënaqur me barazimin 1-1 ndaj Kosovës në kuadër të Ligës së Kombeve.
Kosova e nisi edicionin e dytë të Ligës së Kombeve me një barazim 1-1 ndaj Moldavisë në takimin e zhvilluar në Ennio Tardini të Parmas.
Pas ndeshjes, trajneri i Moldavisë, Firat u ankua në vendimet e gjyqtarit, por edhe në korrektësinë e lojtarëve të Kosovës.
Megjithatë, në një video të publikuar në Youtube, Firat shihet duke përgëzuar lojtarët e tij për pikën e fituar ndaj Dardanëve.
“Doja që të fitonim sot, ishte e vetmja gjë që më bëri nervoz. E di se sa shumë donit që të shënonit dhe të merrnim tre pikët sot”, ka thënë fillimisht Firat.
“Duhet të jenë pak më të qetë. E di këtë. Ashtu siç edhe iu thashë, ndoshta nuk erdhi sot, ndoshta vjen pas tre ditësh, por do të vijë”.
“Ajo që më bënë vërtetë të lumtur është se në fushë e treguat veten se çfarë burrash jeni. Urime”, përfundoi fjalimin mes duartrokitjeve trajneri i Moldavisë. /Telegrafi/