Policia e Kosovës ka arrestuar sot Milun Milenkoviq- Llune, njëri nga udhëheqësit e formacionit kriminal “Mbrojtja Civile”.
Milenkoviq ishte edhe organizatori kryesor i sulmeve ndaj forcave të KFOR-it dhe Policisë së Kosovës që ndodhën më 29 maj 2023 në Zveçan.
Arrestimin e tij e ka bërë të ditur ministri i Punëve të Brendshme, Xhelal Sveçla.
Sveçla ka thënë se gjatë arrestimit të tij, janë sulmuar zyrtarët e Policisë së Kosovës me ç’rast tre nga ta janë të lënduar lehtë.
“Siç edhe e kam theksuar në vazhdimësi, koha e bandave kriminale në veriun e vendit tonë ka përfunduar. Të gjithë individët apo grupet kriminale që kanë cenuar sigurinë dhe rendin kushtetues të Republikës së Kosovës, do të përballen me drejtësinë”, ka shkruar Sveçla në Facebook.
Milun Milenkoviq gjithashtu raportohet se është trajner i njohur i kikboksit në veri të Mitrovicës.
Sirenat e alarmit janë dëgjuar në veri pasditen e së martës, teksa bëhet e ditur që qytetarët serbë kanë filluar të grumbullohen në qytet. /Telegrafi/