Site icon Telegrafi

Publikohen pamje ku shihen ushtarët izraelitë duke hedhur trupa nga çatia e një ndërtese

Ushtria izraelite po heton ushtarët për hedhjen e trupave nga një çati në Bregun Perëndimor të pushtuar, në mes të një inkursioni të Forcave të Mbrojtjes të Izraelit (IDF) në zonë që la shtatë të vdekur.

Bëhet e ditur se incidenti u filmua nga disa këndvështrime nga banorët e Qabatya, afër Jenin, dhe u dëshmua nga një reporter i Associated Press (AP).

Megjithatë, nuk është konfirmuar ende nëse trupat të cilët u hodhën ishin të pajetë.

Videoja tregon tre ushtarë izraelitë që qëndrojnë në një çati. Ata mund të shihen duke shtyrë një trup, shkruan CNN, përcjell Telegrafi.

Këmbët e trupit ngecin në atë që duket të jetë kabllo elektrike ose telefonike. Një nga ushtarët më pas afrohet për të hequr këmbët e personit dhe trupi bie në tokë.

Ushtarëve u kërkohet sipas ligjit ndërkombëtar që t’i trajtojnë trupat e ushtarëve të armikut me respekt, t’a parandalojnë gjymtimin e tyre dhe t’ia kthejnë familjes së të ndjerit.

Siç raportohet, ushtria izraelite shpesh konfiskon trupat e militantëve të vrarë në betejë.

Politikani palestinez Mustafa Barghouti e quajti trajtimin e trupave “një akt barbar që tregon shkallën e degradimit dhe brutalitetit të sjelljes së ushtrisë pushtuese”. /Telegrafi/

Exit mobile version