Në fund të këtij sezoni, Paris Saint-Germain do të nisë një rikonstruktim të ekipit, ndryshe nga praktika e deritanishme – bën të ditur RMC Sport.
Kampioni francez thuhet se do të heqë dorë nga blerja e yjeve të shtrenjtë dhe do të fokusohet te futbollistët e rinj, përmes të cilëve do ta ndërtojë të ardhmen përreth Kylian Mbappes.
Këshilltari i futbollit, Luis Campos, ka për detyrë të hartojë një plan për skuadrën e re, ndërsa spekulohet se ai nuk llogarit më në Neymar dhe Lionel Messi, të cilët pritet të largohen nga klubi në verë.
RMC Sport thekson se braziliani kërkohet nga disa klube angleze (Chelsea dhe Newcastle United), ndërsa Messi ka oferta nga MLS dhe Arabia Saudite, ndaj nuk ka të ardhme për ta në Paris.
🔴 La MNM va-t-elle s'arrêter au PSG après deux saisons ? L’un des objectifs est de réduire la masse salariale lors du prochain mercato et au club, certains pensent à disloquer le trio formé par Kylian Mbappé, Neymar et Lionel Messi.
— RMC Sport (@RMCsport) February 20, 2023
Kampioni i Ligue 1 do të përqendrohet në transferimin e lojtarëve të rinj francezë dhe të parët në listë janë Randal Kolo Muani (Eintracht Frankfurt) dhe Marcus Thuram (Borussia Monchengladbach).
Alternativa janë Youssouf Fofana (Monaco), Khephren Thuram (Nice) dhe Manu Kone (Borussia Monchengladbach).
Kujtojmë se Neymar u transferua te PSG në verën e vitit 2017 për një shumë rekorde prej 222 milionë eurosh, ndërsa Messi kaloi në Parc des Princes si lojtar i lirë nga Barcelona në vitin 2021. /Telegrafi/