Telegrafi

PSG është gati të sakrifikojë yllin e tyre kryesor për të siguruar transferimin e Messit

Klubi francez, Paris-Saint Germain mbetet optimist për zbarkimin e Lionel Messit në Ligue 1 nëse ai nuk arrin të pajtohet me Barcelonën për kushte të reja.

Emri i Messit vazhdon të mbetet shumë i lakuar, pasi argjentinasi nuk po arrin të rinovojë me Barcelonën, kjo edhe për shkak të problemeve financiare të klubit nga Camp Nou.

Disa klube të mëdha evropiane janë lidhur shumë me një transferim të Messit, ku më të favorizuarit shihen Paris Saint-Germain.

Raportet sugjerojnë se klubi francez do të ishte i gatshëm të largonte yllin e tyre kryesor të skuadrës për të mundësuar marrëveshjen për transferimin e Messit.

Gazetari i gazetës AS, Andres Onrubia pretendon se PSG është ende e interesuar në ‘Operacionin Messi’ dhe do të detyrohej të shesë Kylian Mbappe këtë verë për të materializuar marrëveshjen.

Sulmuesi francez thuhet se ka informuar PSG-në se ai nuk do të zgjasë marrëveshjen e tij e cila skadon në vitin 2022.

Prandaj, parisianët do të kërkojnë një shitje për Mbappen dhe me paratë e fituara do të tentojnë marrëveshjen me Messin. /Telegrafi/