Kur u mbyll afati kalimtar të martën mbrëma në Spanjë, u bë e qartë se Kylian Mbappe do të mbetej te Paris Saint-Germaini, përkundër përpjekjeve të Real Madridit për të siguruar nënshkrimin e tij.
Dy superyjet e futbollit, Lionel Messi dhe Cristiano Ronaldo, ndërruan klube, ndërsa pritej që ky afat veror të kompletohej edhe me transferimin e kampionit të botës te Mbretërit.
Porse kjo nuk ndodhi. Edhe pse u raportua se Los Blancos ofruan më shumë se 200 milionë euro për të siguruar shërbimet e anësorit francez.
Deri në mbyllje të afatit kalimtar, PSG as nuk i kthente përgjigje Realit dhe në këtë mënyrë e fitoi betejën. Mirëpo, lufta vazhdon dhe koha punon kundër klubit francez.
Mbappe ka kontratë me parisienët deri në fund të sezonit dhe ai e dëshiron kalimin te Madridi, ashtu që klubi spanjoll pritet ta transferojë pa para në verën e vitit 2022.
Los Merengues mund të nisin negociatat për marrëveshje personale me lojtarin që në janar dhe pastaj ta transferojnë me parametrat zero në afatin e ardhshëm veror. /Telegrafi/