Site icon Telegrafi

Pse Konjufca e përjashtoi Listën Serbe nga Kuvendi, përplasen LVV dhe PDK

Deputetët e Lëvizjes Vetëvendosje (LVV) kanë bllokuar hyrjen e deputetëve të Listës Serbe në seancën e Kuvendit të Kosovës, të enjten.

Ky veprim, sipas deputetëve të LVV-së, u ndërmor për të kundërshtuar qasjen e Listës Serbe ndaj zhvillimeve në veri dhe për të denoncuar shfrytëzimin e mandateve nga deputetët serbë vetëm për përfitime financiare.

Deputetja Shqipe Selimi, në Debat Plus dha një deklaratë për këtë ngjarje.

Selimi tha se reagimi ishte për të kundërshtuar një skenar të pretenduar, sipas të cilit LVV-ja do të kalonte ligjet me mbështetjen e Listës Serbe.

“Kur e patëm një pauzë të shkurtër, kur dolën kolegët e opozitës, sapo u kthyem në seancë e pamë që mbrapa në bufenë e Kuvendit, ishin vendosur disa persona, që ne nuk i njihnim. Supozuam që janë të Listës Serbe, por disa tentuan të hynin, hynin dhe dilnin nga salla. Disa prej deputetëve ngritën dyshimet se kush mund të jenë ata. Edhe filluam duke i pyetur, filluan me fol serbisht dhe e kuptuam që janë të Listës Serbe dhe kanë ardhur për t’u nënshkruar. Nuk e kemi parë procesin duke u nënshkruar vetëm i kemi parë duke pritur që të fillojë seanca dhe të futen brenda. Veprimet tona kanë qenë veprimet individuale aty për aty”.

“Kanë qenë veprimet frustruese, nuk kanë qenë kundër asnjë subjekti politik. Veprime që nuk mundesh mi ndal prej asnjë deputeti, sepse veprime e deputetit janë të pavarura dhe nuk mundemi mi ndalë. Pra nuk kanë qenë në partinë as me Kuvendin”, ka deklaruar Selimi.

Lexo po ashtu Mimoza Kusari-Lila reagon për ndërprerjen e seancës: Ishim dëshmitarë të një provokimi nga Lista Serbe

Ne e pamë edhe ashtu që po mundohet më u bë një skenar i tillë, nga kushdo qoftë. Që ne LVV-ja po i kalon ligjet sikur që pretendohet që e kemi kaluar bashkë me Listën Serbe. Për atë arsye deputetët kanë reaguar”, ka thënë Selimi.

Derisa zyrtari i Partisë Demokratike të Kosovës (PDK), Përparim Gruda, ka kritikuar Lëvizjen Vetëvendosje (LVV) pas përjashtimit të Listës Serbe nga Kuvendi.

Gruda e ka cilësuar këtë veprim si një lojë politike të qëllimshme, të cilën e konsideron si pjesë të fushatës zgjedhore të LVV-së.

“Ajo çka ka ndodhur sot në Kuvend është pjesë e një lojës politike. E vërteta është se zonja Kusari është koordinuar me Listën Serbe”, ka thënë Gruda.

Sipas Grudës, shumica parlamentare, përfshirë Mimoza Kusari-Lilën, ka bashkëpunuar në të kaluarën me Listën Serbe dhe kryeterroristin, Millan Radojçiq.

“Dhe nëse kryetari i Kuvendit, duhej dikë ta përjashtojë, duhej fillimisht zonjën Kusari. Dua t’ua kujtoj që kjo shumicë parlamentare ka zgjedh presidenten me votat e Radojçiqit për t’i hapur rrugë edhe zgjedhjes së Qeverisë. Votat e Radoiçiqit, Listës Srpska, kanë qenë vendimtare në zgjedhjen e presidentes Osmani”.

“Për me u zgjedh Qeveria, hapi i parë është zgjedhja e Presidentes, pra i ka hap rrugë edhe zgjedhjes së Qeverisë së Kosovës. Kjo që ndodhi sot është një pjesë e spotit elektoral të LVV-së. Kaq e thjesht kjo. Ky spot bëhet në kurriz të shtetit të Kosovës, sepse është një politik e papërgjegjshme që dëmet do t’i vërejmë këtu”, ka shtuar Gruda.

Kryetari i parlamentit të Kosovës, Glauk Konjufca ndërpreu të enjten seancën për të pamundësuar pjesëmarrjen e ligjvënësve serbë, që u shfaqën në sallë pas një mungese të gjatë.

Kryetari Konjufca akuzoi nëntë ligjvënës të Listës Serbe, partisë së themeluar dhe mbështetur nga Beogradi, për provokim dhe keqpërdorim të parave të taksapaguesve duke u paraqitur vetëm “një herë në gjashtë muaj”.

Exit mobile version