Analisti britanik i mbrojtjes dhe sigurisë, profesor Michael Clarke, ka tentuar të sqarojë kaosin që po “shpaloset” në Kherson, nga i cili qytet rusët janë larguar.
Sipas mediave britanike, përcjell Telegrafi, edhe pse duket se forcat ruse janë tërhequr, ai pret që ata të kenë lënë “shumë kurthe” dhe do t’i bëjnë ukrainasit të paguajnë me akte sabotimi.
Ai dyshon se do të ketë gjithashtu “drejtësi të ashpër” në rrugë dhe se ajo mund të bëhet “e keqe”.
Shumica e pajisjeve ruse duket se janë tërhequr më në veri, thotë ai, por “paniku” që pasoi gjatë tërheqjes bëri që shumë trupa të mobilizuara të mbyten në lumin Dnipro.
Profesor Clarke e quajti atë një “fund kaotik të asaj që është padyshim një tërheqje e plotë nga Kherson” dhe një “makth propagandistik për Kremlinin”.
Por pavarësisht ngazëllimit mes ukrainasve, ata gjithashtu mund të përballen me një problem tjetër.
Trupat ruse do të duan të konsolidohen në bregun lindor të lumit, ku ka të ngjarë të përpiqen të bombardojnë Khersonin me artileri, ashtu si bënë me Mariupolin dhe Severodonetsk.
Andaj, profesor Clarke thotë se ukrainasit do të duhet t’i shtyjnë rusët 30 ose 40 km në lindje.
Kjo do të përfshijë një “manovër vërtet të madhe” për t’i rrethuar ose për t’i bërë presion që të tërhiqen, thotë ai. /Telegrafi/