Përplasja në Shtëpinë e Bardhë thuhet se erdhi pas javësh zemërimi të presidentit amerikan, Donald Trump me homologun ukrainas, Volodymyr Zelenskyt.
Në javët e fundit, presidenti amerikan e ka kritikuar publikisht Zelenskyn – madje e ka quajtur edhe një “diktator”.
Por, sipas Reuters, shpërthimi në Uashington pasoi një zhgënjim në rritje nga lideri amerikan dhe ekipi i tij, duke cituar burime me njohuri mbi situatën.
Fillimisht, disa zyrtarë të Shtëpisë së Bardhë thuhet se ishin të irrituar teksa përpiqeshin të negocionin marrëveshjen për mineralet kritike, shkruan skynews.
Edhe pse një marrëveshje përfundimisht u arrit, Trump kishte edhe shqetësime të tjera. Në javët e fundit, ai u ka thënë këshilltarëve se nuk i pëlqente mënyra se si lideri ukrainas përpiqej të siguronte mbështetjen amerikane për Ukrainën, duke pretenduar se ai përdorte spektakël për të fituar mbështetjen e medias dhe Kongresit.
Ai gjithashtu ka diskutuar me ekipin e sigurisë kombëtare për të ardhmen politike të Zelenskyt dhe nëse SHBA mund të ndikonte në mbajtjen e zgjedhjeve në Ukrainë përmes negociatave për paqe, raportoi Reuters duke cituar dy burime.
Trump ka kërkuar hapur mbajtjen e zgjedhjeve në Ukrainë dhe e ka kritikuar Zelenskyn për mosorganizimin e tyre – duke ecur në një linjë të ngjashme me Rusinë.
Ndryshe, ligji ukrainas ndalon mbajtjen e zgjedhjeve gjatë një gjendjeje të ligjit ushtarak – të shpallur nga Ukraina ditën kur Rusia e pushtoi, në shkurt të vitit 2022.
Edhe vende të tjera të Evropës Lindore janë përballur me ndërhyrje të Rusisë në proceset e tyre zgjedhore. /Telegrafi/