Presidenti ukrainas, Volodymyr Zelensky shkarkoi komandantin e Forcave Ajrore, Mykola Oleshchuk të premten, një ditë pasi Forcat Ajrore njoftuan se një nga pilotët kryesorë të Ukrainës kishte vdekur kur u rrëzua një aeroplan luftarak amerikan F-16.
Zelensky tha se niveli i komandës së Forcave Ajrore duhej të “forcohej”, por nuk tha nëse vendimi për të shkarkuar Oleshchukun ishte i lidhur me rrëzimin e F-16.
Ndërkohë, ministri ukrainas i Mbrojtjes, Rustem Umerov mohoi se largimi i Oleshchukut ishte i lidhur me vdekjen e pilotit.
“Unë do të thosha se ky është një rotacion”, tha ministri në një intervistë për CNN-in.
“Këto janë dy çështje të veçanta… në këtë fazë, unë nuk do t’i lidhja ato”, tha ai, duke e cilësuar vdekjen e pilotit “fatkeqësi” dhe se Ukraina po heton se çfarë ndodhi.
Ndryshe, gjenerallejtënant Anatoliy Kryvonozhka do të shërbejë si komandant në detyrë i Forcave Ajrore. /Telegrafi/