Site icon Telegrafi

Pse SHBA-ja nuk po e ndalon furnizimin e Izraelit me armë?

Së fundmi, analisti ushtarak britanik, Sean Bell, është deklaruar rreth vendimit të Izraelit për hapjen e dy rrugëve humanitare në Gazë.

Ai i përshkroi marrëdhëniet midis kryeministrit izraelit, Benjamin Netanyahu, dhe presidentit amerikan, Joe Biden, si “qartësisht të tensionuara”.

Por, pavarësisht kësaj, duket se Biden është një nga njerëzit më me ndikim në vendimet e Netanyahut, shkruan skynews, përcjell Telegrafi.

Çfarë ndikimi ka në të vërtetë SHBA-ja në një kohë kur Perëndimi po e vë në dyshim ligjshmërinë e furnizimit me armë të Izraelit?

SHBA-ja deri më tani është furnizuesi më i madh i armëve për Izraelin.

Megjithatë, siç e thekson edhe Bell, “nëse një shtet e furnizon një tjetër me armë dhe ai e shkel ligjin ndërkombëtar, atëherë edhe shteti që e furnizon shpallet fajtor”.

E me sa duket, ky fakt po i shqetëson vendet perëndimore gjithnjë e më shumë.

Pra, pse SHBA-ja nuk ndalon së furnizuari me armë Izraelin?

Bell tha se SHBA-ja ka qenë një “garantues i sigurisë për shtetin izraelit për shumë e shumë dekada”.

“Do të ishte vetëvrasje politike për Biden nëse ai kërcënon ta tërheq mbështetjen ushtarake ndaj Izraelit, e veçanërisht në një vit zgjedhor. Gjithashtu, Biden nuk dëshiron ta vendosë SHBA-në në anën e gabuar të ligjit ndërkombëtar”, tha analisti.

Kjo e lë presidentin amerikan në sfidë për ta bindur Netanyahun që ta zhvillojë luftën e tij ndryshe, e jo në kundërshtim me ligjin ndërkombëtar. /Telegrafi/

Exit mobile version