Telegrafi

Pse Rusia po refuzon t’i publikojë faktet rreth rrëzimit të aeroplanit

Të burgosurit ukrainas të luftës nuk ishin në bordin e aeroplanit transportues rus Il-76 që u rrëzua pranë kufirit me Ukrainën muajin e kaluar, tha të premten një zyrtar i lartë ukrainas i sigurisë kombëtare.

Moska pretendon se 65 ushtarakë ukrainas në rrugë për një shkëmbim të planifikuar të të burgosurve u vranë në katastrofën ajrore në rajonin Belgorod të Rusisë jugperëndimore më 24 janar.

“Unë mund t’ju them me siguri se nuk kishte të burgosur ukrainas”, tha Oleksiy Danilov, sekretari i Këshillit të Sigurisë Kombëtare dhe Mbrojtjes së Ukrainës, shkruan themoscowtimes.

Komiteti Hetimor i Rusisë, i cili heton krimet e mëdha, tha javën e kaluar se testet gjenetike të gati 700 fragmenteve të trupave të gjetura nga vendi i rrëzimit kishin konfirmuar “në mënyrë të qartë” identitetin e 65 ushtarëve.

Danilov e kundërshtoi këtë pretendim, duke thënë se “nëse do të ishte kështu, më besoni… ata do t’i tregonin të gjitha”.

“[Rusia nuk ka] asgjë për të treguar, sepse nëse do të ndodhte me të vërtetë, do të kishte një pamje krejtësisht të ndryshme”, theksoi ai, duke spekuluar se provat do të shpërndaheshin gjerësisht në televizionin shtetëror rus dhe nga ministri i Jashtëm, Sergei Lavrov në OKB.

Moska akuzon Kievin se ka përdorur një sistem raketash tokë-ajër Patriot të prodhuar nga SHBA-ja për të rrëzuar aeroplanin.

Kievi as nuk e ka konfirmuar dhe as mohuar përfshirjen, megjithëse ka thënë se një shkëmbim i të burgosurve ishte planifikuar në ditën kur u rrëzuar Il-76.

Zëdhënësi i inteligjencës ushtarake ukrainase, Andriy Yusov pretendoi muajin e kaluar se Shërbimi Federal i Sigurisë i Rusisë (FSB) kishte urdhëruar në momentin e fundit udhëheqjen e tyre ushtarake dhe politike që të mos hipnin në Il-76. /Telegrafi/