Telegrafi

Pse Rusia përdorë shkronjën “Z” në mjetet luftarake në Ukrainë dhe çfarë do të thotë?

Nga gjimnastë në podium e deri te fëmijët e sëmurë rëndë në repartin ku trajtohen ata që vuajnë nga kanceri, rusët në masë të madhe po përkrahin shkronjë Z, që është vendosur pothuajse në çdo mjet të tyrin ushtarak me të cilët ka filluar pushtimin e Ukrainës.

Deri më tani kanë qarkulluar shpjegime të ndryshme mbi origjinën dhe kuptimin – Sky News ka dhënë një variant paksa më të zgjeruar lidhur me këtë dilemë, transmeton Telegrafi.

Simboli “Z” fillimisht është parë në tanket ruse dhe mjetet tjera ushtarake, por shpejtë filloi të përdoret edhe nga disa tjerë që përkrahën pushtimin rus në Ukrainë.

Ishte gjimnasti rus Ivan Kuliak, i cili do të hetohet pasi veshi rrobat me simbolin “Z” duke u shfaqur me to në podium derisa po merrte pjesë në garat e organizuara në Katar.

Njëjtë vepruan edhe menaxhmenti i repartit të pediatrisë dhe disa tjerave, që detyruan fëmijët të dalin në oborr dhe të bëjnë me trupin e tyre shkronjën “Z”. E për këtë ka shpjegime të ndryshme.

Disa thonë se Z është për “za pobedu” që në gjuhën shqipe do të thotë “për fitore”, të tjerët besojnë se është për “Zapad” apo Perëndimin.

Ka edhe prej atyre që kanë vërejtur ngjashmëri me svastikën – simbol ky që u përdor nga Gjermania naziste gjatë Luftës së Dytë Botërore – duke i dhënë emrin “Svastika e Putinit”.

E ministria ruse e Mbrojtjes duket se ka konfirmuar versionin e parë. Në një postim të bërë në Instagram gjatë javës së kaluar, shihen tri fotografi të ushtarëve rusë – që mbanin shkronjën Z – pra “za pobedu”, “për fitore”. /Telegrafi/