Ministri i Jashtëm rus, Sergei Lavrov të mërkurën mbrëma ka udhëtuar për në Pekin për një vizitë te zyrtarët kinezë, megjithatë aeroplani i tij është kthyer në gjysmë të rrugës – pra mbi Novosibirsk (Siberi).
Në vend se të shkojë në Kinë, pas 2.800 kilometrave aeroplani ka ndërruar kurs dhe është kthyer pas, në aeroportin Vnukovo të Moskës, transmeton Telegrafi.
Nuk dihet nëse Pekini nuk ka dashur ta pranojë Lavrovin, apo Putin e ka urdhëruar të kthehet për shkak të problemeve të shumta që i ka brenda Rusisë, shkruan Bild.de.
Një ditë më herët, Putin në shenjë hakmarrje kundër perëndimit ka paralajmëruar se nuk do të ndalet në Ukrainë, dhe se gjërave do t’i shkojë deri në fund.
Më pas erdhi edhe reagimi i presidentit amerikan Joe Biden, i cili i premtoi Ukrainës ndihmë të madhe, si në armë e pajisje të ndryshme ushtarake që kapin vlerën në afro një miliard dollarë. Gjithashtu e ka quajtur Vladimir Putinin kriminel lufte.
Sipas mediave amerikane, Moska ka kërkuar nga Pekini ndihmë financiare dhe ushtarake, gjë që Rusia ka tentuar ta mohoj këtë.
Edhe pse Pekini nuk ka dënuar direkt agresionin, deri më tani nuk e ka mbështetur në mënyrë aktive pushtimin. Disa deklarata që vijnë nga Kina për Rusinë nuk janë edhe aq premtuese. /Telegrafi/