Telegrafi

“Pse jo” – Ish-mbrojtësi i Barcelonës i cili po shkëlqen në Francë shprehet i gatshëm për rikthim

Ish-mbrojtësi i Barcelonës, Jean-Clair Todibo ishte një ndër lojtarët që një pjesë e tifozëve të Barcelonës kanë besim se klubi ka gabuar me largimin e tij.

Reprezentuesi francez kishte një shpejtësi marramendëse dhe aftësi të mirë me topin në këmbë, dhe që prej largimit të tij nga Barcelona për vetëm 8.5 milionë euro, ai ka shkëlqyer tek Nice në Francë.

Performancat e tij të mira në Ligue 1 kishin bërë që ai të lidhej me një kalim të mundshëm tek Manchester United në muajt e fundit.

Kur u pyet nëse do të rikthehej tek Barcelona, Todibo u përgjigj “Pse jo?”, ka raportuar mediumi Sport.

Todibo momentalisht nuk është në radarin e blaugranasve, por me katër mbrojtës momentalisht në ekip dhe me një lojtar si Pau Cubarsi i cili po zhvillohet çdo ditë e më shumë, mundësitë janë të mëdha që Barcelona nuk do të përforcohet në atë pozitë.

Lexo po ashtu Dy lojtarë të Barcelonës kanë luajtur çdo minutë në dy muajt e parë të 2024

Barcelona në fakt zotëron 20 për qind të shitjes së tij të ardhshme, andaj kjo ka bërë që drejtuesit e klubit t’i gëzohen paraqitjeve të tij të mira pasi në rast kalimi te ndonjë klub i madh, Barcelona do të fitonte një shumë të majme parash.

Todibo këtë sezon është paraqitur në 19 ndeshje me Nice në elitën e futbollit francez, duke startuar në të gjithat nga minuta e parë./Telegrafi/