Site icon Telegrafi

Rose Wilder Lane dhe rrëfimi që nxiti Zogun të mendojë se është pasardhës i Lekës së Madh dhe ta përjetësojë atë në monedhën shqiptare

Shqiptarët, dikur, nën sundimin osman përdornin monedhat turke, lira, aspra etj. Gjatë Luftës së Parë Botërore hynë monedha të tjera të huaja – austriake, italiane, greke dhe serbe. Ndërsa, në Korçë, në kohën e francezëve u bë një monedhë shqiptare që qarkullonte vetëm në këtë qytet.

Këto monedha qarkullonin në treg të lirosrë dhe të pakontrolluar. Në mungesë të sistemit bankar, krediti ishte në dorë të fajdexhinjve, gjë që në një shkallë të konsiderueshme frenonte zhvillimin e ekonomisë.

Në këtë kohë kishte edhe monedha tjera lokale. P.sh. kartëmonedha e hedhur në qarkullim në Bashkinë e Vlorës në vlerën e 50 qind-karte kishte figurën e Ismail Qemalit; në shkallë vendi kishin edhe filluar prerjet 20 dhe 5 franga, si dhe monedha metalike prej nikeli me figura e simbole nga më të ndryshmet.

Ekonomistë vendas dhe specialistë të huaj dhanë alarmin se nuk mund të ecej më me këtë gjendje. Në këto kushte, në Parlamentin shqiptar, në vitin 1923 u diskutua për një monedhë shqiptare, të emërtuar me një emër shqip. Propozimi erdhi nga vetë Ahmet Zogu, dhe po vetë ai tha edhe emrin që do të mbante monedha në të ardhmen.

“Do ta quajmë Lek”, tha ai, “në nder të Aleksandrit të Madh të Maqedonisë”.

Propozimi u prit me duartrokitje dhe u miratua menjëherë, por puna vazhdoi gjatë, dhe tek në vitin 1926 filloi prerja e parë e lekut nga Banka Kombëtare Shqiptare: ishte 5-lekëshi i barabartë me 1 frangë ari të mëparshme. Në të shkruhej Shqipni -Albania. Por, kjo kartëmonedhë u hoq menjëherë nga qarkullimi, pasi u kritikua për shqiponjën që ishte e stilit romak.

Më pas u emetua një monedhë tjetër po me këtë vlerë. E, pas kësaj, vit pas viti u bënë përmirësime në emetimet e reja. Në faqet e lekut shqiptar pasqyrohej figura e Aleksandrit, Pirros, Herkulit dhe e stergjyshit të tyre Akilit që jetoi 900 vjet përpara tyre.

Por, pse propozoi Zogu që kartëmonedha jonë të mbante emrin e Aleksandrit të Madh?

Të gjithë prijësit shqiptarë e kanë patur idhull Aleksandrin e Madh. Pirua i Epirit shkonte deri atje sa të thoshte se kishte lidhje gjaku me Lekën. Skënderbeu i mori emrin Iskander dhe simbolet – brirët e dhisë. Kur e bënë ata, pse të mos e bënte edhe Ahmet Zogu, apo nuk ishte mbret i gjithë shqiptarëve?

Ambicien ia rriti më tepër një bisedë me shkrimtaren e amerikane Rose Wilder Lane, me të cilën kishte shumë afinitet. Gjatë udhëtimeve në Shqipërinë e veriut, në Mat, ajo kishte dëgjuar nga një plak se Aleksandri i Madh ka lindur në Mat, në Emadhi.

“Ka pasur atë kohë dy kryeqytete të mbretërisë së bashkuar: ka qenë Pela mes Selanikut dhe Manastirit, dhe Emadhia – kryeqyteti i vjetër, që shtrihej në luginën që tani quhej Mati”, kishte thënë plaku.

“Leka i Madh u lind në Emadhia, ku jetoi derisa la djepin. Ai i hipi kalit për herë të parë kur vajti në Pela, kurse Filipi i Dytë doli nga Pela për ta pritur dhe ndodhi që pikërisht nga kali Leka i Madh e pa për herë të parë të atin. Fshatarët e anës së Matit bënin fjalë lirshëm për qytetin e moçëm të Emadhisë dhe vendlindjen e Lekës së Madh”, i kishte thënë Lane Zogut. “Si nuk e ditke ti”?

Kuptohet që kjo bisedë e çmendi fare Ahmet Zogun, të cilit i hipi në kokë se kishte lidhje me Aleksandrin e Madh. Ai e dinte se po ta deklaronte këtë, do të bënte ndonjë budallallëk që nuk e ngrinte dot kandari. Sidoqoftë një sedër e dhelur s’mund të rrinte pa matur pulsin se si do të pritej në rrethet shoqërore të oborrit. Por, sa herë që hidhte mufkën, të gjithë qeshnin. Ndaj, hoqi dorë një herë e mirë nga ideja e të qenit pasardhës i largët i Aleksandrit të Maqedonisë, duke bërë të dytën, duke e përjetësuar atë në monedhën shqiptare, që nuk ishte një shërbim i keq, në daç për shqiptarët, në daç edhe për Aleksandrin si “paraardhës” i tyre!

Exit mobile version