Partia Socialdemokrate (PSD), ka reaguar pas arrestimit të disa prej aktivistëve të saj në mesin e tyre edhe kryetarin e këtij subjekti Dardan Molliqaj, pas një aksioni që zhvilluan kundër kryetares së Dhomave të Specializuara, Ekaterina Trendafilova.
“Sot, përgjatë raportimit të kryetares së Gjykatës Speciale, Ekaterina Trendafilova, aktivistë të PSD-së, Lisjan Perolli dhe Bardh Ahmeti, zhvilluan aksion simbolik për të penguar rilegjitimimin e Gjykatës Speciale në misionin e saj për të tjetërsuar luftën çlirimtare të UÇK-së. Përgjatë aksionit simbolik jashtë konferencës për media, Policia e Kosovës përdori dhunë jashtëzakonisht të madhe ndaj aktivistëve duke i lënduar dhe i arrestuar ata”, thuhet në reagimin e PSD-së.
PSD thekson se Gjykata Speciale është e padrejtë, prandaj ajo nuk mund të sjellë drejtësi.
“Si e tillë, nuk mund të lejojmë asesi që të rilegjimitohet në qetësi teksa tjetërson historinë tonë. Kërkojmë lirimin e menjëhershëm të aktivistëve Dardan Molliqaj, Teutë Rrusta, Zgjim Hyseni, Qëndrim Sahiti dhe Agron Kabashi të cilët u arrestuan gjatë aktivitetit sot”, thuhet në reagim. /Telegrafi/