Partia Socialdemokrate sot mbajti aksion simbolik përballë ndërtesës së qeverisë, ku theksuan se i ofrojnë çmimin Nobel për ekonomi ministrit në detyrë, Besnik Bislimit, për kontributin e tij në uljen e papunësisë në Kosovë gjatë kohë së pandemisë për ta bërë vendin e vetëm në botë që arrin këtë gjë.
PSD theksoi se kjo qeveri e ka humbur çdo marrëdhënie me realitetin.
“Pas sukseseve të mëdha në xhudo e muzikë, pas Majlinda Kelmendit, Rita Orës e Dua Lipës, vendi ynë shënohet në listën që ka prodhuar zbuluesin epokal të ekonomisë, Besnik Bislimi. Prej sot, nobeli për ekonomi e ka ndërruar emrin. Tash quhet ‘çmimi Besnik Bislimi për ekonomi’. S’mund të mos i atribuohej ky nder njeriut që me një të rënë lapsi, si Demokleu me shpatë na e uli papunësinë në 6.6 %”, thuhet në njoftim.
Sipas PSD-së, në anën tjetër, ministri Sveçla, para dy javësh tha se kjo Qeveri e ka menaxhuar krizën më se miri në glob.
“Deliri i kësaj Qeverie e ka humbur çdo marrëdhënie me realitetin. Aq e shprehur është kjo sa të mendosh që veç ‘popullit’ të tyre në Facebook, askush tjetër nuk është këtu për ta parë marifetin e tyre. Regjistrimin e punëtorëve pa kontrata po e quajnë ulje të papunësisë. 9946 punëtorë të rinj qenkan lajmëruar nga bizneset për të përfituar 170 euro nga pakoja emergjente, rrjedhimisht kemi 6.6 % ulje të papunësisë”.
Sipas kësaj partie, në kohën e ndalimit të gjithë aktivitetit ekonomik, papunësia ulet.
“Kjo është punë e paçme. Për ministrin Bislimi njerëzit janë shifra, kurse kalimi nga njëra kategori në tjetrën, veç ndryshim formule”, thekson PSD. /Telegrafi/