Site icon Telegrafi

PS propozon amendament për ndalimin e tradhtarëve ndaj atdheut në zgjedhje, iniciativë e nisur nga rast i Fredi Belerit

Mazhoranca kërkon që të ndalojë tradhtarët nga kandidimi në zgjedhje. Nisma ligjore është depozituar gjatë kësaj jave nga deputeti socialist Petro Koçi, i cili e propozon këtë amendament në ligjin e dekriminalizimit. Në një reagim për Euronews Albania, deputeti Koçi thotë se e ka ndërmarrë këtë iniciativë nisur nga rasti i Fredi Belerit.

“Është absud fakti që PD ka propozuar ndalim të përjetshëm zgjedhjeje apo emërimi të shtetasve që kanë kryer vepra të ndryshme kriminale por ka harruar të përfshijë tradhëtinë ndaj atdheut, përdhosjen e simboleve shtetërore kombëtare. Për ta verifikuar këtë gjë shërbeu rasti Beleri”, tha Koçi.

Lexo po ashtu Vuan dënimin në Shqipëri për korrupsion në zgjedhje, Kathimerini: Fredi Beleri do të kandidojë për eurodeputet nga partia e Mitsotakis

Po ashtu, Petro Koçi deklaron se ky ndryshim ligjor do të ndihmojë edhe partitë politike.

“Projektligji pengon të zgjidhen jo vetëm shtetasit që mund të kenë kryer këtë figurë krimi por edhe parti të tipit ‘Agimi i Artë’ si Partia Demokratike dhe Partia e Lirisë të kandidojnë persona të përfshirë në krime kundër Repulikës së Shqipërisë. Projektligji në një farë mënyre i shpëton nga rimëkatimi si personat e dënuar për këto vepra por edhe partitë politike”, tha ai.

Nisma fillimisht do të diskutohet në komisionet parlamentare dhe më pas do të kalojë për miratim ose jo në parlament. Në mënyrë që amendamenti të marrë dritën jeshile, socialistëve i nevojitet një shumicë e cilësuar prej 84 votash, e për këtë rrjedhimisht edhe bashkëpunim me opozitën. /Telegrafi/

Exit mobile version