Site icon Telegrafi

Provat dhe kundërthëniet që i çuan në burg aktivistët e VV-së

Në një sallë të stërmbushur nga familjarë e mbështetës të të akuzuarve, mediave dhe të interesuarve të tjerë, me shumë momente tensioni, gjyqtari mezi ia arriti të lexojë aktgjykimin me të cilin shqiptoi 21 vjet e gjashtë muaj burg ndaj tre aktivistëve dhe një deputeti të Lëvizjes Vetëvendosje.

Atdhe Arifi, 25-vjeçar, u dënua me gjashtë vjet burg; deputeti Frashër Krasniqi, 29-vjeçar, u dënua me tetë vjet burg; Egzon Haliti, 24-vjeçar, u dënua me pesë vjet e gjysmë burg; Adea Batusha, 21-vjeçare, u dënua me dy vjet burg.

Këta të katër akuzoheshin se më 4 gusht të vitit të kaluar në bashkëkryerje kishin sulmuar Kuvendin e Kosovës, andaj mbi ta vihej në barrë vepra penale terrorizmit, vepër kjo e paraparë në nenin 136 të Kodit Penal të Kosovës, ndërsa në këtë rast e kualifikuar sipas paragrafit 1 të këtij neni, e dënueshme me jo më pak se pesë vjet burg.

Menjëherë pas shpalljes së aktgjykimit, Atdhe Arifi, Frashër Krasniqi dhe Egzon Haliti u dërguan në paraburgim, pasi që dënimi i tyre ishte mbi 5 vjet.

KALLXO.com, nuk ka arritur të mësojë arsyen e dënimit nën minimum ligjor të Adea Batushës, por legjislacioni penal në Kosovë parasheh rrethanat se kur mund të shkohet nën minimumin ligjor të dënimit. Pas nxjerrjes së aktgjykimit do të bëhet e ditur arsyeja e saktë që ka ndikuar në shqiptimin e këtij sanksioni.

Lidhur me këtë rast, fillimisht ishin si të dyshuar edhe Petrit Ademi, ndaj të cilit pushuan hetimet para ngritjes së aktakuzës, e gjithashtu edhe Astrit Dehari që vdiq në rrethana ende të pasqaruara në Qendrën e Paraburgimit në Prizren, teksa po mbahej në paraburgim si i dyshuar lidhur me sulmin në Kuvendin e Kosovës.

KALLXO.com, të vetëdijshëm se vetëm pas publikimit të aktgjykimit do të dihet qartë se cilave provave ju fali besimin trupi gjykues e cilave jo, më poshtë do t’u sjellë të gjitha provat e paraqitura nga prokurori i Prokurorisë Speciale, Abdurrahim Islami, duke i vënë përballë me argumentet e ngritura nga mbrojtja, por pa i vlerësuar.

Prokurori i Prokurorisë Speciale të Kosovës, Abdurrahim Islami, në një mënyrë jo të zakonshme prej kolegëve të tij, fjalën e tij përfundimtare e paraqiti me anë të një prezantimit në Power Point, përmes të cilit pretendoi se ka shpjeguar lidhjen e të akuzuarve me sulmin në Kuvendin e Kosovës.

Qysh para fjalës përfundimtare, në seancën e 26 tetorit prokurori tregoi se ekspertizat që ai ka propozuar, si ajo e qartësimit të imazheve, e bërë nga Byroja Federale e Hetimeve në SHBA – FBI, ekspertiza e ADN-së dhe ajo e daktiloskopisë, nuk i lidhin të akuzuarit në mënyrë të drejtpërdrejtë me sulmin në Kuvendin e Kosovës.

Përderisa ekspertiza e FBI-së tregon se materiali i dërguar tek ta për qartësim dhe krahasim nuk është i përshtatshëm, ekspertizat e ADN-së dhe daktiloskopisë nuk kanë rezultuar pozitive për të akuzuarit. Se a do të duhej prokuroria të hapte edhe një pistë tjetër të hetimit dhe të gjente se kujt i përkasin gjurmët e ADN-së dhe ato të daktiloskopisë, nëse jo të akuzuarve, kjo është një çështje që nuk do të trajtohet më tej në këtë shkrim pasi për këtë është përgjegjëse prokuroria.

Megjithatë, prokurori Islami në fjalën e tij përfundimtare tha se këto ekspertiza janë propozuar vetëm sa për të përforcuar më tej provat ekzistuese dhe se arsyeja që ekspertizat nuk dhanë rezultatet e pritura ishte se të akuzuarit kishin përdorur masa preventive. Kjo thënie e prokurorit u quajt paragjykim i fajësisë si dhe shkelje e prezumimit të pafajësisë.

Provave të tjera që prokurori Islami iu referohet lidhur me këtë rast e që vetë ai i prezantoi në fjalën e tij përfundimtare janë, motoçikleta, telefoni i blerë me të cilin pretendohet se u dërgua e-maili nga ‘Rugovasit12’ si dhe komunikimet e të akuzuarve.

Një motocikletë e tipit YAMAHA 125 cc, me ngjyrë kryesisht të kuqe është boshti i aktakuzës së prokurorit Islami. Pretendimet e prokurorit janë se pikërisht kjo motoçikletë u ble nga të akuzuarit dhe u përdor për kryerjen e sulmit natën e 4 gushtit 2016 dhe më pastaj u gjet pjesërisht e djegur në një lagje të Prishtinës, sipas prokurorisë me qëllim të zhdukjes së gjurmëve.

Prokurori Islami me rëndësi esenciale e konsideron deklarimin e të akuzuarit Atdhe Arifi, në seancën për caktimin e paraburgimit të mbajtur më 30 gusht të vitit të kaluar.

“E kundërshtoj kërkesën e PSRK për paraburgimin, nuk e kam kryer veprën penale, e pranon se një motor në ngjyrë të kuqe, nuk e din se çfarë marke, e ka blerë nga një person që nuk e njeh dhe në atë rast me mua ka qenë Astrit Dehari dhe Egzon Haliti”, citoi prokurori Islami deklarimin e Atdhe Arifit në seancën e paraburgimit.

Gjatë gjithë rrjedhës së gjykimit, sikurse përshkruan në aktakuzë, prokurori Islami u përpoq të provojë se motoçikleta u ble nga Atdhe Arifi, Egzon Haliti dhe tani i ndjeri Astrit Dehari për shumën e 500 eurove.

Për të mbështetur pretendimin e tij, prokurori citoi dëshmitarin, shitësin e motorit, Heset Ramadani, sipas të cilit ai u ka shitur motoçikletën tre personave të moshave 20-25 vjeç, të cilët ishin prezantuar si studentë dhe se motoçikleta u duhej për të qarkulluar nga vendi ku banojnë deri në fakultet. Dëshmitari Ramadani, më tej, sipas prokurorit, ka përshkruar se si të akuzuarit i kanë thënë se janë nga Rahoveci.

Takimi në mes të të akuzuarve dhe shitësit të motoçikletës, sipas aktakuzës, ka ndodhur më datën 17 korrik 2016 rreth orës 17:00 në një autoparking afër ETC-së.

Në aktakuzë citohet deklarata e Heset Ramadanit se si kishte fotografuar motoçikletën pasi e kishte shitur, ndërsa më datën 6 gusht 2016, atij i ishte prezantuar një motoçikletë e djegur për të pyetur dhe krahasuar nëse ishte motoçikleta që e kishte shitur më datën 17 korrik 2016.

Aktakuza citon deklaratën e dëshmitarit Ramadani i cili kishte deklaruar se motoçikleta e djegur që i ishte treguar kishte pjesën metalike të bagazhit të njëjtë, po ashtu edhe ngjyrën e motoçikletës. Gjithashtu i mungonte buloni në vendin e njëjtë ku i mungonte motoçikletës që e kishte shitur, e po ashtu nga ana e djathtë e pjesës së pasme të motoçikletës shihej qartë pjesa e këputur e metalit nga pjesa përbërëse, karakteristikë kjo identike me pamjen e motoçikletës në foto që kishte fotografuar para se ta shiste.

Prokurori Islami në fjalën e tij përfundimtare tha se deklarata e dëshmitarit Ramadani nuk kishte lënë asnjë dyshim se motoçikleta që e kishte shitur ishte motoçikleta e njëjtë me atë që ishte gjetur pjesërisht e djegur pas sulmit në Kuvendin e Kosovës.

“Deklarata e dëshmitarit Heset Ramadani nuk lënë asnjë mëdyshje se është motoçikleta e kryerjes së veprës penale dhe se të njëjtën e kanë blerë të akuzuarit Atdhe dhe Egzon dhe i ndjeri Atrit dhe këtë e vërtetojnë kamerat e ETC-së”, tha Islami në fjalën e tij përfundimtare.

Për ta përforcuar këtë, Islami para trupit gjykues në prezantimin e tij në power point prezantoi disa fotografi.

Në njërën prej fotografive Islami paraqiti motoçikletën, ndërsa në prapavijë të saj dukej një veturë e tipit “Bora” që prokurori tha se e ngiste tani i ndjeri Astrit Dehari.

Në fotografinë tjetër të prezantuar nga prokurori Islami, pretendohej se dukej i akuzuari Atdhe Arifi duke e ngarë motoçikletën, ndërsa në një fotografi tjetër që prokurori tha se është bërë nga kamerat e sigurisë të ETC-së, prokurori tha se shihen të akuzuarit, Atdhe, Astrit dhe Egzon, ndërsa kjo pamje nga kamerat e sigurisë ishte zënë rreth orës 20:00, ditën e njëjtë kur prokuroria pretendon se u ble motoçikleta.

Mbrojta dhe të akuzuarit në anën tjetër, lidhur me motoçikletën dhe deklaratën e dëshmitarit Heset Ramadani, mbi të cilat është bazuar prokuroria, pretendojnë se kanë gjetur një varg kontradiktash dhe mospërputhjesh.

Më i zëshmi ndaj këtij pretendimi ishte i akuzuari Frashër Krasniqi. Krasniqi në fjalën e tij përfundimtare i kushtoi një rëndësi të veçantë çështjes se motoçikletës dhe dëshmitarit Heset Ramadani.

Krasniqi tha se dëshmitari Ramadani në seancën e mbajtur më 22 gusht të këtij viti, ndonëse kishte deklaruar para trupit gjykues se kujtesa e tij tani ishte më e mirë se kur ka dhënë deklaratën, para trupit gjykues ka thënë se nuk mundet t’i identifikojë personat që e kanë blerë motoçikletën dhe këtë e ka thënë pasi që në sallën e gjykimit i ka parë të akuzuarit.

Kundërshti tjetër që Krasniqi e vë në pah lidhur me dëshmitarin Ramadani- shitësin e motoçikletës, është se i njëjti edhe në polici ka deklaruar se nuk është 100% i sigurt se të akuzuarit e kishin blerë motoçikletën nga ai.

Krasniqi thotë se kjo nuk ishte kundërshtia e vetme e këtij dëshmitari, pasi që i njëjti duke përshkruar të akuzuarit kishte thënë se ata ishin më të shkurtër se ai vetë dhe se flisnin një theks si me qenë nga Rahoveci.

Në shqyrtim gjyqësor shihet se të akuzuarit Atdhe dhe Egzon Latifi ishin më të gjatë se dëshmitari, ndërsa asnjëri nga të akuzuarit nuk është nga Rahoveci.

Krasniqi pretendon se fillimisht policia dhe prokuroria më pas duke qenë të vetëdijshëm se theksi nuk është diçka që mund të improvizohet lehtë, nuk e përmend fare në aktakuzë deklarimin e dëshmitarit lidhur me theksin e personave të cilëve u kishte shitur motoçikletën.

Gjithashtu, Krasniqi thotë se nëse dëshmitari ka deklaruar se është takuar me të akuzuarit në orën 17:00 dhe kamerat e sigurisë së ETC-së shënojnë orën 20:00 kur të akuzuarit janë kapur nga kamerat e sigurisë, pse u janë dashur tri orë të akuzuarve për të shkuar nga vendtakimi në një parking shumë afër ETC-së deri në ETC.

Përshkrimet e ofruara nga prokurori Islami në fjalën e tij përfundimtare, Krasniqi i quajti kontradiktore dhe tha se prokuroria nuk ka asnjë fotografi ku shihet dikush prej aktivistëve duke e blerë motoçikletën, duke e vozitur atë, apo duke u parë së bashku me shitësin e motoçikletës. Gjithashtu, Krasniqi tha se nuk ka asnjë kontratë lidhur me blerjen e motoçikletës.

Fotografitë e prezantuara nga prokurori Islami në fjalën e tij përfundimtare e ku pretendohej se shihej i akuzuari Atdhe Arifi duke ngarë motoçikletën, e gjithashtu edhe të akuzuarit e tjerë në ETC, Krasniqi i quajti qesharake pasi që edhe Agjencia Kosovare e Forenzikës edhe FBI, janë deklaruar se nuk mund të identifikohen fytyrat e personave nga materialet që u janë vënë në dispozicion.

Monitoruesit e KALLXO.com ndonëse kanë qenë prezentë në të gjitha seancat e këtij rasti, duke përfshirë edhe fjalën përfundimtare të prokurorit ku janë prezantuar fotografitë, e kanë pasur të pamundur të dinë se cilat prej fotografive janë dërguar për qartësim në SHBA dhe se a bëjnë pjesë fotografitë e prezantuara nga prokurori në fjalën e tij përfundimtare në fotografitë për të cilat FBI u deklarua se nuk janë të përshtatshme për krahasim.

Kjo çështje do të zbulohet vetëm pas hartimit dhe publikimit të plotë të aktgjykimit nga kryetari i trupit gjykues, Beqir Kalludra.

Lidhur me motoçikletën, kundërshtime patën edhe të akuzuarit tjerë dhe mbrojtësit e tyre.

Avokati i Atdhe Arifit, Ramiz Krasniqi, tha se ka diçka që nuk shkon me motoçikletën pasi që në fotografitë e paraqitura nga prokurori, në disa fotografi shihet pjesërisht e djegur e në disa të tjera tërësisht.

Gjithashtu në disa fotografi shihet motoçikleta e djegur në një vend me zhavorr, ndërsa në një tjetër në një vend me bar kur përkundër se është motoçikleta e djegur, nuk vërehet se ka dëmtim të barit apo vendit përreth.

Kontradikta të mëtejshme këtij rasti i shtoi edhe dëshmia e dëshmitarit, Egzon Metolli. Ai në dëshminë e tij të mbajtur më 27 shtator tha se nuk do të vazhdojë të dëshmojë më sepse “i keni marrë personat që nuk i kam pa në motor”.

“Është sen që doket, edhe ma herët ju thashë, ata janë kanë t’mdhaj, asnjani prej ktyne nuk është si ata, se i kam pa unë vetë. Pas zhurmës, dy persona me motor kanë kalu qandej menjëherë”, shtoi ai. Madhësia e tyre ishe e madhe edhe janë kanë të trashë edhe aj me helmetë i ka pasë floktë e gata, a njoni u kon qel”, kishte dëshmuar Metolli në seancë.

Prokuroria pretendon se përgjegjësia për sulmin në Kuvend u mor nga një e-mail adresë me emrin “rugovasi12”.

Prokurori Abdurrahim Islami pretendon se ky e-mail ishte hapur më 29 korrik 2016 dhe ishte përdorur vetëm një herë dhe atë më datën 5 gusht 2016 për të dërguar një e-mail ku merrej përgjegjësia për sulmin në Kuvendin e Kosovës.

Më tej, prokurori pretendon se ky e-mail u dërgua nga një telefon i tipit Samsung i blerë 15 euro nga një shitës ambulant përballë Hotelit “Swiss Diamond” nga e akuzuara Adea Batusha rreth mesditës së datës 5 gusht 2016.

Prokurori Islami në fjalën e tij përfundimtare, paraqiti disa fotografi të kapura nga kamerat e sigurisë të disa lokaleve ku pretendohej të paraqitej e akuzuara Adea Batusha dhe lëvizjet e saj ditën e 5 gushtit, pra një ditë pas sulmit në Kuvendin e Kosovës.

Fotografitë e paraqitura nga Islami, sipas tij, provojnë momentin kur Adea Batusha është kapur nga disa kamera të sigurisë, pastaj kur e ka blerë telefonin, kur ka hipur në një taksi dhe deri te momenti kur ka zbitur te banesat e “Tregtisë” nga ku prokuroria pretendon se banon i akuzuarit Frashër Krasniqi dhe nga ku në aktakuzë pretendohet se u dërgua e-maili.

Për të argumentuar pretendimin e tij, prokurori Islami tha se nga përgjigja e kompanisë google është vërtetuar se e-maili “Rugovasit12” është dërguar më 5 gusht nga telefoni i blerë nga e akuzuara Adea Batusha.

Për të përforcuar këto pretendime, në aktakuzë përshkruhen deklaratat e dëshmitarëve Mentor Krasniqi, Naser Mustafa si dhe Remzi Zogjani. I pari deklaron se telefonin Samsung e kishte ndërruar me Naser Mustafën më datën 3 gusht 2016, ndërsa i dyti Naser Mustafa deklaron se me datën 4 gusht e kishte ndërruar një telefon të llojit Samsung të cilin të nesërmen ia kishte shitur një vajze të moshës 25-26-vjeçare.

Mustafa në deklaratën e tij dhënë në prokurori e përshkruan vajzën që ia ka shitur telefonin si vajzë me flokë deri në krah, fytyrë të bardhë dhe të plotë, vetulla të zeza, fustan ngjyrë kremi, syze dielli të vendosura në kokë, fliste rrjedhshëm gjuhën shqipe si të ishte e Prishtinës.

Gjithashtu, prokuroria vë në pah në deklaratën e dëshmitarit Mustafa se vajza që kishte blerë telefonin kishte pyetur nëse mund të dërgohet e-mail me të njëjtin telefon dhe ky ia kishte demonstruar që mundet.

Dëshmitari Zogiani në anën tjetër, është personi që prokuroria pretendon se barti Adea Batushën deri te banesat e “Tregtisë”.

Zogiani në deklaratën e tij që përshkruhet në aktakuzë thotë se vajza kishte qenë e moshës 20-25 vjeçare, kishte veshur një fustan, i kishte syzat në kokë, flokët deri te krahët dhe në dorë mbante një qese të letrës dhe se kishte kërkuar të dërgohej në Rrugën “Tringë Smajli”.

Përderisa për prokurorin është e qartë se vajza që bleu telefonin me të cilin u dërgua e-maili është Adesa Batusha, mbrojtja e saj dhe të bashkakuzuarit paraqesin një varg pretendimesh që kundërshtojnë prokurorin.

I akuzuari Frashër Krasniqi në fjalën e tij përfundimtare thotë se pikërisht përgjigjja e Google-s për të cilën prokuroria pretendon se i ngarkon të akuzuarit është shfajësuese për ta pasi që sipas tij Google ka thënë se telefoni nga i cili është dërguar e-maili pas sulmit në Kuvend si dhe ai nga i cili është hapur ky e-mail janë të njëjtë.

“Si mund të jetë atëherë që prokuroria pretendon se telefoni është blerë më 5 gusht, ndërsa ne e paskemi hapur llogarinë më 29 korrik. Prokuroria me qëllim e ka keqinterpretuar përgjigjen e Google, sepse ajo është një provë shfajësuese për ne”, tha Krasniqi.

Edhe lidhur me pistën e dytë të prokurorisë, Krasniqi vë në dyshim fotografitë e paraqitura nga prezantimi i prokurorit Islami duke thënë se aty nuk duket askush dhe se janë qesharake dhe se tashmë për to edhe FBI ka thënë se nuk mund të identifikohen.

Krasniqi më tej gjen disa kundërshti edhe në mes të deklaratave të dëshmitarëve, Mentor Krasniqi dhe Naser Mustafa lidhur me kohën e ndërrimit të telefonave mes tyre dhe përshkrimin e vajzës që bleu këtë telefon.

Përderisa prokurori Islami pretendon se e akuzuara Adea Batusha është identifikuar nga dëshmitarët, Krasniqi thotë se identifikimi në prokurori është bërë në kundërshtim me ligjin, pasi që dëshmitarëve u është aluduar për personin pasi që u është treguar një fotografi e Adeas me syze si një karakteristikë dalluese që ata e kishin përmendur dhe kjo është në kundërshtim me rregullat e identifikimit.

Kundërshtia e Krasniqit vazhdon edhe më tej lidhur me lokacionin nga është dërguar e-maili. Përderisa, sipas Krasniqit, prokuroria në aktakuzë duke cituar kompaninë Google thotë se e-maili “rugovasit12” u dërgua nga banesat e “Tregtisë”, ku banon i akuzuari Krasniqi, në fjalën e tij përfundimtare prokurori tha se e-maili u dërgua nga afërsia e Fakultetit Teknik.

Krasniqi krejt në fund thotë se shfajësuese për ta është edhe fakti se natën kritike të sulmit, asnjë nga të akuzuarit nuk janë kapur nga antenat në afërsi të Kuvendit të Kosovës dhe e quan qesharake pretendimin e prokurorit se të akuzuarit natën kritike, një orë para sulmit i kanë ndalur telefonat, duke thënë se kjo në asnjë mënyrë nuk mund të përdoret si diçka fajësuese pasi që shumica e njerëzve në kohën kur ka ndodhur sulmi i kanë telefonat e ndalur pasi që janë në gjumë.

Ndoshta e vetmja pikë e pakontestueshme e këtij rasti ku prokurori dhe avokatët e të akuzuarit janë pajtuar është se sulmi në Kuvendin e Kosovës ka ndodhur dhe asgjë më shumë.

Për më tepër në seancën përfundimtare, avokati Tomë Gashi ishte aq i bindur në pafajësinë e të mbrojturit të tij Frashër Krasniqi dhe të të akuzuarve të tjerë aq sa gjykatës nuk i propozoi asnjë masë lehtësuese nëse e gjen fajtor.

“I propozoj gjykatës që ta lirojë nga akuza Frashër Krasniqin dhe të tjerët, sepse me asnjë provë nuk është vërtetu as shkronja F prej fajësisë së tyre, përndryshe nëse gjykata gjen se Frashër Krasniqi mund të jetë fajtor ne nuk i propozojmë asnjë masë lehtësuese, por i propozojmë që t’i shqiptohet dënimi maksimal ligjor për shkak që është mjaft i edukuar dhe i shkolluar dhe i rritur dhe sigurisht nëse e ka kryer këtë vepër e meriton dënimin maksimal, por unë e di që ju do të veproni në bazë të provave dhe do ta lironi edhe Frashërin dhe të gjithë të tjerët tha Gashi.

Të gjitha këto pretendime dhe kundërshtime të paraqitura edhe nga avokatët dhe të akuzuarit e tjerë të këtij rasti, Gjykata Themelore e Prishtinës me aktgjykim duhet t’ië sqarojë hollësisht.

Vetëm përmes një aktgjykimi të detajuar dhe analizuar në hollësi ndoshta mund të pushohen të gjitha dilemat e ngritura lidhur me këtë rast dhe njëherë e mirë të zbardhet njëri nga proceset më të diskutuara gjyqësore në Kosovë.

Kodi i Procedurës Penale të Kosovës në nenin 369 përcakton se aktgjykimi i shpallur duhet të përpilohet me shkrim brenda pesëmbëdhjetë ditëve nga shpallja e tij, kur i akuzuari gjendet në paraburgim, ose i është caktuar paraburgimi, ndërsa në raste të tjera brenda tridhjetë ditëve nga dita e shpalljes. Kur rasti është i ndërlikuar, gjyqtari i vetëm gjykues, apo kryetari i trupit gjykues mund të kërkojë nga kryetari i gjykatës që të zgjasë afatin për përpilimin me shkrim të aktgjykimit deri në gjashtëdhjetë ditë. /KALLXO.com/

 

Exit mobile version