Në një sfidë shumë interesante, Proton Cable Prizreni ka mundur Sigal Prishtinën 94:91 (25:22, 15:17, 23:23, 18:19, 13:10), në përballjen e javës së 22-të të Prince Caffe Superligës.
Në fillim të ndeshjes, prishtinasit krijuan epërsi prej shtatë pikësh, 8:15, por prizrenasit u rikthyen shpejt dhe më pas zhvillohet lojë e baraspeshuar dhe në fund me pesë pikë radhazi e fitojnë këtë çerek 25:22.
Vendasit vazhduan me lojë të mirë dhe ngritën epërsinë në 31:22, që ishte më e larta, por kësaj radhe kryeqytetasit në fund ngushtuan shifrat, ku pjesa e parë përfundon 40:39.
Lojë e barabartë u zhvillua në periodën e tretë, derisa dhjetëminutëshi i katërt ishte shumë dramatik. Prishtinasit po fitonin 72:77, por një seri prej 8:0 e vendasve bëri përmysjen e madhe në 80:77, por bardhekaltrit nuk u dorëzuan dhe 16 sekonda nga fundi barazuan në 81:81 me Malcolm Armstead, derisa në fund të dy skuadrat dështuan nga një aksion, duke bërë që ndeshja të shkojë në vazhdime.
Edhe në vazhdime u zhvillua lojë dramatike, ku Shaheed Davis i mysafirëve shënoi dhjetë pikë, por Prizreni ishte më i vëmendshëm dhe kësaj radhe nuk lëshoi epërsinë, duke triumfuar 94:91.
Te vendasit u dalluan Urim Zenelaj me 23 pikë e nëntë kërcime, Ivan Koljeviq me 18 pikë e shtatë asistime dhe Isaiah Kelly me 18 pikë e 12 kërcime, kurse te mysafirët Shaheed Davis kishte 22 pikë e pesë asistime dhe Malcolm Armstead 21 pikë.
Proton Cable Prizreni është i shtati me shtatë fitore e 15 humbje, derisa Sigal Prishtina e treta me 14 fitore e tetë humbje.