Telegrafi

Protestuan kundër okupimit të Khersonit, arrestohen 400 ukrainasë nga ushtria ruse

Më shumë se 400 ukrainasë që protestuan kundër okupimit të qytetit Kherson në Ukrainë nga forcat ruse – janë arrestuar nga pjesëtarët e gardës nacionale ruse, ka njoftuar ushtria ukrainase.

Në një kumtesë të lëshuar për media, ushtria ukrainase ka njoftuar se qindra qytetarë ukrainasë janë arrestuar pasi protestuan kundër okupimit të Khersonit nga ushtria ruse, transmeton Telegrafi.

Për shkak të rezistencës së banorëve të Khersonit, ushtria ruse tentoi të shpërndajë turmën – duke u zotuar se do të formoj një njësi të policisë administrative që në të ardhmen do të trajtojë këto raste.

Kujtojmë që Ukraina sot ka hyrë në ditën e 14-të të luftimeve të ashpra që po i zhvillon kundër ushtrisë ruse, që filloi pushtimin e këtij vendi me urdhër të presidentit rus Vladimir Putin. /Telegrafi/