Kolektivi për Mendim dhe Veprim Feminist ka mbajtur protestë për të kundërshtuar vendimin e Gjykatës së Apelit, e cila ka kthyer në rigjykim lëndën e vrasjes së Marigona Osmanit.
Protesta është mbajtur të mërkurën para Pallatit të Drejtësisë, pranë Gjykatës së Apelit.
“Sot u bëmë bashkë aktiviste e aktivistë dhe protestuam kundër vendimit të Gjykatës së Apelit për ta kthyer rastin e vrasjes së Marigona Osmanit në pikën zero”, thuhet në njoftimin për media.
Kolektivi për Mendim dhe Veprim Feminist e vlerëson si të rrezikshme dhe shqetësuese “këtë praktikë të institucioneve që t’i neglizhojnë rastet e dhunës së gjinizuar dhe femicidit deri në pikën kur ato zvarriten nga gjykata në gjykatë, pa arritur drejtësinë”.
“Këtë patriarkalitet dhe joseriozitet të gjykatave i cili po bëhet në kurrizin e grave, ne do ta luftojmë sot e çdo ditë dhe do i dalim krah njëra-tjetrës, gjallë a vdekur. Deri sa të ketë drejtësi për Marigonën. Deri sa të ketë drejtësi për çdo grua”, thuhet më tej.
Gjykata e Apelit javën e kaluar e ka kthyer çështjen në rigjykim ndaj të akuzuarve Dardan Krivaqa dhe Arbër Sejdiu, lidhur me akuzat për vrasjen dhe dhunimi e tani të ndjerës Marigona Osmani.
Gjykata Themelore e Ferizajt më 4 gusht 2023 e ka dënuar me burgim të përjetshëm Dardan Krivaqën për vrasje e Marigona Osmanit. Ndërsa ishte liruar nga akuza për dhunim. Arbër Sejdiu ishte dënuar me 15 vite burgim për ndihmë në vrasjen e rëndë në bashkëkryerje. Sejdiu ishte liruar nga vepra penale e ndihmës në dhunim. /Telegrafi/