Telegrafi

Protestat në Zveçan, Zubin Potok e Leposaviq, Policia fton qytetarët që të mos bien pre e provokimeve

Policia e Kosovës bën të ditur se duke njohur të drejtën për tubime publike përmes protestës paqësore, sipas detyrës zyrtare, edhe sot po kujdeset për ruajtjen e rendit dhe qetësisë publike, si dhe po kryen detyrat e saja të përcaktuara sipas Kushtetutës së Republikës së Kosovës dhe legjislacionit në fuqi.

Në njoftim thuhet se Policia e Kosovës, në bashkëpunim me KFOR-in dhe institucionet relevante, po vazhdon me angazhimet policore në zbatimin e rendit dhe sigurisë publike, ofrimin e sigurisë ndaj qytetarëve, sigurimin e lirisë së lëvizjes së lirë si dhe ndërmarrjen e masave policore konform situatës dhe zhvillimeve në komunat Leposaviç, Zveçan dhe Zubin Potok, ku edhe sot po vazhdojnë protestat.

“Policia e Kosovës do të vazhdojë angazhimin dhe përkushtimin e saj në ofrimin e sigurisë ndaj të gjithë qytetarëve pa dallim dhe fton qytetarët që të kenë vëmendje dhe kujdes të shtuar, që të protestojnë në mënyrë të qetë dhe të mos bien pre e provokimeve të mundshme, të çfarëdo natyre qofshin ato”, bën të ditur Policia e Kosovës. /Telegrafi/