“Oj Kosovë oj vdekja ime”, ishte njëra ndër pankartat me të cilat mijëra qytetarë kanë protestuar në sheshin“Zahir Pajaziti”, në Prishtinë pas rastit të dhunimit të 11 vjeçares për shtatë orë nga pesë persona.
Protestuesit e indinjuar me rastin, hedhën edhe ngjyrë të kuqe mbi institucionet e Kosovës, si në Këshillin Gjyqësor, tek zyra e Prokurorit të Shtetit, Qeverinë e Kosovës e Ministria e Drejtësisë.
Në lidhje me këtë protestuesi Edi Gashi, tha për Telegrafin se kjo gjendje duhet të marr fund dhe nuk duhet më në Kosovë , të shëtitën të lirë ngacmues seksual të tillë.
“Kjo gjendje duhet të marr fund sepse nuk mund të shkojë më tej. Dikush që ngacmon seksualisht një vajzë dhe shëtitë i lirë nuk është normale. Nuk ka moment, është mëkat është vetëm një fëmijë”, tha ai.
Kurse Zylfie Gërlica, u shpreh se në protestë doli për fëmijët e saj, për shkak se ndihet shumë e mërzitur pas dhunimit të 11 vjeçares.
“Të gjithë kemi fëmijë, vajza dhe djem të cilët duhet t’i edukojmë. Unë si nënë ndihem shumë keq kur dëgjoj kësij lloj ngjarjesh, ndihem e indinjuar është shumë e mërzitshme sepse edhe unë kam vajzë. Unë ju bashkëngjita protestës për vajzën time”, deklaroi ajo.
Në anën tjetër Arjeta Krasniqi, theksoi faktin se në protestë kishte dalë për shkak se edhe vetë ndihet e frikësuar të dalë në rrugë pas këtij rasti.
“Sot kam dalë këtu për të gjithë ato vajza dhe gra të cilat nuk kanë mundësi të dalin këtu dhe ta ngritin zërin e tyre. Jam dalë për ato gra të cilat janë të dhunuara dhe tanimë iu ka shterrur zëri. Kam dalë edhe për vete sepse po ndihëm e rrezikuar në që hap që po e bëjë”, u shpreh Krasniqi.
Protesta u organizua nga Kolektivi për Mendim dhe Veprim Kolektiv, ku ata paraqitën tri kërkesa kryesore, si: krijimi i mekanizmave efektiv për trajtimin me dinjitet të mbijetuarat e dhunës, trajtimi i drejtë i rasteve dhunës ndaj grave dhe dënime meritore për abuzuesit si dhe legalizimi dhe përdorimi i sprejit irritues për vetëmbrojtje.
Ditë më parë një 11 vjeçare u dhunua në Prishtinë nga pesë persona. Policia e Kosovës ka arritur t’i arrestojë të pesë të dyshuarit, ndërkaq ndaj katër prej tyre është shqiptuar masa e paraburgimit prej 30 ditësh. Nga pesë të arrestuarit tre janë të mitur./Telegrafi/