Flota Operative dhe punëtorët e Departamentit Mbështetës Operativ në Policinë e Kosovës janë duke protestuar nga vendet e tyre të punës, duke shprehur pakënaqësitë e tyre për mosrregullimin e vlerës së koeficienteve të pozitave të punës.
Kryetari i Sindikatës së Policisë së Kosovës, Imer Zeqiri, në një prononcim për Telegrafin ka thënë se protesta do të vazhdojë deri në realizimin e kërkesave të punëtorëve.
Sipas tij, edhe pse punëtorët janë në proteste ende nuk ka reflektim nga Ministria e Punëve të Brendshme (MPB).
“Shërbyesit civilë janë duke protestuar nga vendet e tyre të punës. Kërkesa e tyre e vetme është që të bëhet klasifikimi në koeficient në bazë të profesioneve që i kanë. Kjo është kërkesë dhe premtim që i është dhënë para disa muajve që kjo do të bëhet apo premtim që nga implementimi i Ligjit të pagave deri më tani. Ata janë në pritje se do të reflektojë dikush nga qeveria apo më konkretisht më thënë nga Ministria e Punëve të Brendshme të vijë dikush, por nëse nuk kemi një reflektim nga kjo ministri të gjithë këta punëtore janë të vendosur që të vazhdojnë më proteste deri sa të marrin një përgjigje konkrete”, ka thënë Zeqiri.
Ai po ashtu u shpreh se protesta përfundon me përfundimin e orarit të punës.
Zeqiri gjithashtu i bëri thirrje institucioneve relevante që të reflektojnë dhe të qetësojnë këtë situatë për normalizimin e punës në polici, pasi siç theksoi ai kjo reflekton edhe pengon edhe në zhvillimin e apo kryerjen e detyrave të rregullta edhe në pjesën tjetër të Policisë së Kosovës.
Megjithatë, me 7 prill Avokati i Popullit e ka dërguar në Gjykatën Kushtetuese Ligjin për paga.
Lidhur me këtë, Avokati i Popullit kishte pranuar ankesa nga Këshilli Prokurorial i Kosovës, Këshilli Gjyqësor i Kosovës, zyrtarë komunal të arsimit, infermierë, mjekë, Sindikata e Policisë së Kosovës, Komisioni Qendror i Zgjedhjeve dhe institucione e organizata të tjera. /Telegrafi/