Pas lajmit se presidenti rus Vladimir Putin ka kërkuar që katër rajone të okupuara të Ukrainës t’i bashkohen Rusisë, ka pasur reagime të shumta nga politikanë dhe fytyra tjera publike nga fusha të ndryshme.
E ndër ta është edhe miliarderi amerikan Elon Musk, i cili në profilin e tij në Twitter, hapi një sondazh përmes të cilit kërkon opinionin e përdoruesve të këtij rrjeti, se dëshira e popullit që jeton në Donbas dhe Krime duhet pyetur dhe të vendosin ata nëse duan të jenë pjesë e Rusisë apo Ukrainës, transmeton Telegrafi.
Në këtë sondazh u ka kërkuar ndjekësve të tij dhe në përgjithësi përdoruesve të këtij rrjeti që të votojnë në sondazh për dhe kundër, dhe në fund të shihet se si ka votuar masa.
“Paqja ruso-ukrainase: Të përsëriten zgjedhjet në rajonet e aneksuara nën mbikëqyrjen e Kombeve të Bashkuara. Rusia largohet nëse ky është vullneti i popullit. Krimea është zyrtarisht pjesë e Rusisë, siç ka qenë nga 1783 (deri në gabimin e Hrushovit). Të sigurohet furnizimi me ujë për Krimenë. Ukraina të mbetet neutrale”, thuhet në postimin e Musk.
Madje lidhur me këtë sondazh të tij kanë raportuar mediat ukrainase, që me interesim të madh po ndjekin propozimin e tij për të votuar në sondazh.
Në anën tjetër ishte Musk i cili në fillim të luftës në Ukrainë, ndihmoi qytetarët e këtij vendi që të kenë qasje në internet pas shkatërrimit të infrastrukturës pas sulmeve ruse.
Ishte kompania që ai menaxhon Starlink që ofroi shërbimin satelitor, për të mos i lënë në terr informativ banorët e atjeshëm. /Telegrafi/
Ukraine-Russia Peace:
– Redo elections of annexed regions under UN supervision. Russia leaves if that is will of the people.
– Crimea formally part of Russia, as it has been since 1783 (until Khrushchev’s mistake).
– Water supply to Crimea assured.
– Ukraine remains neutral.
— Elon Musk (@elonmusk) October 3, 2022