Telegrafi

Propaganduesi i Putinit: Berlini, Dresdeni, Praga, Lubjana – të gjithë do të jenë tonat

Një i ftuar në televizionin shtetëror rus sugjeroi se Rusia, pas Ukrainës, mund të lëviz drejt vendeve të tjera evropiane.

Paralajmërimin e bëri analisti dhe eksperti për Kinën, Nikolay Vavilov, gjatë një paraqitje të ftuar në emisionin “60 Minutat e Olga Skabeyeva”, raporton newsweek.

Lexo po ashtu Fëmijët rusë detyrohen të mësojnë gënjeshtra dhe propagandë për luftën në Ukrainë

Vavilov tha se në të kaluarën Rusia ishte e pranishme në të gjithë Evropën, kryesisht në Francë dhe Gjermani dhe se kjo do të ndodhë sërish në të ardhmen.

Një pjesë e paraqitjes së tij televizive filloi të përhapet në rrjetet sociale, të cilin e ka shpërndarë edhe këshilltari i ministrit të Punëve të Brendshme të Ukrainës, Anton Gerashchenko.

“Ne do të marrim gjithnjë e më shumë rolin që kishte Perandoria Ruse. Nuk po bëja shaka. Berlini, Dresdeni, Praga, Lubjana – gjithçka do të jetë e jona. Pse? Sepse kështu ishte. E shihni, kur ne hymë në Paris në vitin 1815 dhe në Berlin në 1945 dhe në fund të shekullit të XVII-të – kjo nuk është rastësi”, tha ai.

Ndryshe, përkundër pretendimeve të Vavilovit për fuqinë e Rusisë, analistë të shumtë kanë kritikuar veprimet e ushtrisë ruse. /Telegrafi/