Telegrafi

Promovuesi i Joe Joyce angazhohet për meçin ndaj Deontay Wilder që mund të jetë për titull bote

(Foto: Getty/metro.co.uk)

Promovuesi i Joe Joyce, Frank Warren, ka shprehur interesim për të caktuar një meç me Deontay Wilder dhe është i hapur për bisedime me menaxherin e tij.

‘Bomberi i bronztë’ ka njoftuar se do të kthehet në ring, derisa mediat raportojnë se meçi i tij mund të ndodhë në vjeshtë.

Edhe Joyce pritet të hyjë në ring në vjeshtë, ashtu që Warren ka thënë se pas fitores ndaj Christian Hammer, e kanë caktuar datën 24 shtator në orarin e meçeve.

Wilder dhe Joyce janë të renditur në pozitat një dhe dy në WBC – ku titulli akoma mbahet nga i pensionuari Tyson Fury.

(Foto: 3KBW)

Nëse Gypsy King vendos ta lirojë titullin, atëherë dueli mes dyshes do të jetë për titullin e kampionit të botës në kategorinë e peshave të rënda në divizionin ‘World Boxing Council’.

Lexo po ashtu ‘Të kam mposhtur në një raund, njësoj do të ndodhë prapë’ – nxehet rivalitetit mes Joshua dhe Joe Joyce

“Nuk e kam problem ta realizoj atë meç. Absolutisht kurrfarë problemi. Nëse do të ndodhë, do të më pëlqente. Pse të mos përpiqemi ta realizojmë? Do të ishte një duel i shkëlqyer”, ka thënë Warren për iFL TV. /Telegrafi/