Ministri i Drejtësisë, Abelard Tahiri ka bërë të ditur se Kosova ka kërkuar nga Prokuroria e Turqisë informata shtesë për disa shtetas kosovarë që veprojnë në Turqi dhe konsiderohet që mund të jenë të lidhur me organizata terroriste në Siri, Irak dhe Libi, por nuk kanë marrë ndonjë përgjigje.
Tahiri në emision “Përballje” me gazetarin Muhamet Hajrullahu ka thënë se lidhur me këtë çështje janë ankuar dhe në takimin me zëvendësministrin e Drejtësisë nga Turqia është premtuar se do të ofrohen informata.
Ministri i Drejtësisë, Abelard Tahiri tha se Kosova është një vend mjaft i rrezikuar që të jetë target i sulmeve terroriste.
“Jemi vendi i dytë në Evropë që kemi dërguar më së shumti luftëtar në këto lufta, kjo është jashtëzakonisht shqetësuese për shtetin e Kosovës”, tha Tahiri.
Ai tha se po punojnë që personat e tillë që janë në burgjet e Kosovës, pasi të përfundojnë burgun të mos jenë rrezik për vendin.
Ministri i Drejtësisë tha se janë në prag të nënshkrimit të një Memorandumi ndërmjet BIK-ut dhe Ministrisë së Drejtësisë që disa imamë të ligjërojnë për këtë grup të personave që vuajnë dënimin si të dënuar si pjesë e organizatave terroriste, në mënyrë që në të ardhmen këta persona të mos jenë më kërcënim për vendin.
Videon lidhur me këtë çështje mund ta ndiqni nga minuta e 14-të. /Telegrafi/