Dy deputetët e Kuvendit të Kosovës, Milaim Zeka dhe Shkumbin Demalijaj, pritet të ballafaqohen edhe me një proces tjetër gjyqësor.
Ngritjen e një aktakuze ndaj tyre, e ka paralajmëruar Prokuroria Themelore në Prishtinë.
Ndaj tyre kishin nisur hetimet, pasi paraprakisht Zeka e Demalijaj, dyshoheshin se kishin kanosur prokurorët në rastet “Veteranët” dhe “Vizat”, në të cilat të dy deputetët tashmë kanë aktakuza dhe po vazhdon procesi gjyqësor ndaj tyre.
Lajmin se Prokuroria Themelore në Prishtinë, së shpejti pritet të ngritë aktakuzë ndaj tyre, e ka bërë të ditur për “Betimi për Drejtësi”, zëdhënësja e kësaj prokurorie, Laureta Ulaj.
“Prokurori i çështjes për të dy rastet në fjalë, ka zhvilluar të gjitha veprimet e nevojshme hetimore, andaj, pritet të ngritet aktakuzë, brenda një periudhe të shkurtër kohore”, thuhet në përgjigjen e Ulajt.
Deputeti i Nismës Socialdemokrate, Mialim Zeka, dyshohet se gjatë një emisioni televiziv më 24 shtator 2018, kishte kanosur prokurorin special Afrim Shefkiu, i cili kishte ngritur aktakuzë ndaj tij në rastin e njohur si “Vizat”.
Ndërsa, deputeti i Aleancës për Ardhmërinë e Kosovës (AAK) Shkumbin Demalijaj, dyshohet se në dy intervista të dhëna në shtator të vitit të kaluar ka kanosur ish-prokurorin special Elez Blakaj, lidhur me aktakuzën e rastit të “Veteranëve”.
“Ma përpara ia kisha falë nëse ma kish vra njërin prej fëmijëve në afekt sesa kështu me ia shkatërru njerëzve ëndrrat. Mua më kanë poshtëruar. Unë do ta ndjek këtë prokurorin tem me gjyq, me kanun e edhe privatisht. Nuk ia fali kurrë poshtërimin. Se njerëzit tash thonë për mua: Kqyre ky hajni i vizave”, është fjalia që kishte thënë deputeti Zeka në emisionin “Dpd te Fidani”, më 24 shtator 2018.
Lidhur me këto deklarata, ndaj Zekës, më 27 shtator 2018, Gjykata Themelore në Prishtinë kishte nxjerrë vendimin me të cilin ai duhej të qëndronte një muaj në paraburgim, por më pas Gjykata e Apelit, këtë masë e kishte ndryshuar me arrest shtëpiak, nga e cila masë sërish ishte liruar më vonë.
E për deklarata të ngjashme, një muaj paraburgim, i ishte caktuar edhe deputetit Shkumbin Demaliajaj, më 28 shtator 2018, të cilën masë gjithashtu e kishte ndryshuar Gjykata e Apelit, duke e lënë atë për një muaj në arrest shtëpiak.
Ai dyshohet se në dy intervista të ndara, kishte kanosur ish-prokurorin e Prokurorisë Speciale, Elez Blakaj, lidhur me aktakuzën e rastit të “Veteranëve”, në të cilën Demalijaj bënë pjesë si i akuzuar për “keqpërdorim të pozitës apo autoritetit zyrtar”.
Demalijaj dyshohet se në një emision në RTK, kishte thënë se “Unë do ta ndjek privatisht me familjen time në qoftë se shteti i Kosovës nuk i bënë asgjë”, ndërsa më 25 shtator 2018, në një intervistë në televizionin T7, kishte thënë se “jo unë nuk i bie pishman asnjëherë fjalët që i kam thënë, nëse shteti nuk merret me Blakaj atëherë unë personalisht do të merrem me të”.
Këto deklarata të Demalijajt, ishin bërë pasi prokurori Blakaj kishte dorëzuar aktakuzën e rastit “Veteranët” dhe kishte dhënë dorëheqje, për shkak se siç kishte thënë ai, për kërcënimet e presionet, gjatë kohës sa po hetonte këtë rast, si nga brenda sistemit prokurorial, ashtu edhe jashtë tij.
Ndryshe, në rastin e njohur si “Veteranët”, bashkë me Demalijaj për akuza për “keqpërdorimi i pozitës apo autoritetit zyrtar”, po akuzohen edhe Agim Çeku, Nuredin Lushtaku, Sadik Halitjaha, Qelë Gashi, Shukri Buja, Ahmet Daku, Rrustem Berisha, Faik Fazliu, Smajl Elezaj, Fadil Shurdhaj dhe Xhavit Jashari.
Sipas aktakuzës së përgatitur nga ish-prokurori Blakaj, personat e përfshirë akuzohen se prej vitit 2011 deri në vitin 2017, duke vepruar si anëtarë të Komisionit Qeveritar për Njohjen dhe Verifikimin e Statusit të Dëshmorit të Kombit, Invalidit, Veteranit, Pjesëtarit dhe të Internuarit të Luftës së Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës, kanë shfrytëzuar detyrën dhe autoritetin zyrtar, duke tejkaluar kompetencat me dashje dhe duke mos i përmbushur detyrat zyrtare, me qëllim që të përfitojnë personat e tjerë në mënyrë të kundërligjshme, në vazhdimësi, në dëm të Buxhetit të Republikës së Kosovës.
Ndërsa, në rastin e njohur si “Vizat”, përpos deputetit Zeka, me të për akuza për mashtrim, shmangie nga tatimi dhe pastrim parash, po akuzohen edhe Edomond Kërliu dhe Ilir Krasniqi.
Sipas aktakuzës së përpiluar nga ana e prokurorit Afrim Shefkiu, të pandehurit thuhet se kishin paraqitur fakte të rreme kinse për punësimin e qytetarëve të Kosovës në Gjermani përmes emisionit “Pa rrotlla”, duke joshur qytetarët që të aplikonin në zyrat tyre në lagjen “Pejton”, të Prishtinës. /Betimipërdrejtësi/