Prokurori i Shtetit njofton opinionin publik se është duke mbikëqyrë procesin e votimit për apo kundër largimit të kryetarëve në katër komunat e Republikës së Kosovës, Leposaviq, Zubin Potok, Zveçan dhe Mitrovicë e Veriut.
Në njoftimin e bërë për media, Prokurori i Shtetit bën të ditur se “që nga ora shtatë e mëngjesit të ditës së sotme, prokurorët e shtetit së bashku me Policinë e Kosovës janë të angazhuar, në stacione policore të katër komunave gjegjëse, për të mbikëqyrë për së afërmi mbarëvajtjen e procesit të votimit, të cilët janë në gjendje gatishmërie që të reagojnë në çdo rast ku ka pengim të procesit të votimit”.
“Po ashtu, Prokurori i Shtetit me qëllim të parandalimit të çdo parregullsie që lidhet me të drejtën e votës, fton qytetarët, mediat dhe shoqërinë civile, të bashkëpunojnë dhe raportojnë në Polici dhe Prokurori për të gjitha pretendimet eventuale lidhur me keqpërdorimet lidhur me këtë proces”.
Ndryshe, që votimi të jetë i suksesshëm duhet që të votojnë, minimalisht, 50% + 1 qytetar. Nëse përmbushet ky kusht, atëherë brenda afateve ligjore mbahen zgjedhjet e jashtëzakonshme.
Në rast se pjesëmarrja është më e ulët se 50%+1, atëherë votimi konsiderohet i dështuar dhe një iniciativë tjetër nuk mund të merret pa kaluar 12 muaj. /Telegrafi/