Prokuroria Themelore në Gjilan, Departamenti për Krime të Rënda, ka njoftuar se ka ndaluar për 48 orë të dyshuarin për vrasjen në Viti.
Sipas komunikatës për medie i dyshuari është E.R, dhe vendimi për ndalimin e tij është lëshuar sot pasi dyshohet se ka kryer veprën penale ‘’Vrasja e rëndë’’, të Kodit Penal të Republikës së Kosovës dhe të njëjtit iu janë sekuestruar një revole dhe një armë gjuetie.
“Rreth orës 11:00, në komunën e Vitisë, ka ndodhur një rast gjuajtje me armë zjarri, nga i cili një person ka humbur jetën, ndërsa dy të tjerë kanë pësuar lëndime trupore”, thuhet në komunikatën për medie.
Tutje, në komunikatë thuhet, “Me urdhër të prokurorit të shtetit, trupi i pa jetë i të ndjerit A.R., është dërguar për kryerjen e obduksionit, në Institutin e Mjekësisë Ligjore”.
“Ndaj të dyshuarit brenda afatit ligjor Prokuroria Themelore në Gjilan, do të kërkojë masën për sigurimin e të pandehurit në procedurë penale”, thuhet tutje në komunikatë. /Telegrafi/