Telegrafi

Prokuroria kërkon paraburgim për të miturin nga Gjilani, i cili dyshohet se ia preu gishtat një 27 vjeçari për 10 euro

Prokuroria Themelore e Gjilanit, ka kërkuar caktimin e masës së paraburgimit për të miturin, i cili dyshohet se më 22 tetor të këtij viti së bashku me një person tjetër, i prenë dy gishta një 27-vjeçari për shkak të një borxhi prej 10 eurosh.

Lajmin për Telegrafin e kanë konfirmuar nga Prokuroria e Gjilanit.

“Ju njoftoj se lidhur me këtë rast për dy persona kanë filluar hetimet dhe atë për një të mitur dhe një person tjetër i moshës madhore. Ndërsa për të miturin është kërkuar caktimi i masës së paraburgimit në drejtim të veprës penale “Lëndim i rëndë trupor””, thuhet në përgjigjen e Prokurorisë.

Prokuroria gjithashtu ka bërë të ditur se është mbajtur seanca dëgjimore dhe se janë në pritje të vendimit të Gjykatës Themelore në Gjilan, për caktimin e paraburgimit për të miturin.

Telegrafi ka mësuar se i mituri i cili dyshohet për këtë rast është F.I.

Ngjarja ka ndodhur më 22 tetor të këtij viti, kur edhe ishte arrestuar njëri nga të dyshuarit ndërsa i mituri kishte qenë në arrati.

Lajmin për Telegrafin e ka konfirmuar edhe Shaban Azizi nga Policia në Gjilan.

“Bëhet fjalë për një borxh prej 10 eurosh. Ngjarja ka ndodhur më 22 tetor, kur dy persona dyshohet se ia kanë prerë gishtat një 27-vjeçari. Njëri nga të dyshuarit është arrestuar menjëherë, ndërsa i dyshuari i dytë, i mitur, është arrestuar dje pasi ka qenë në arrati”, ka thënë Azizi. /Telegrafi/