Telegrafi

Prokuroria deklarohet rreth arrestimeve për dallaveret me patentë-shoferë

Policia e Kosovës sot ka zhvilluar një aksion nga i cili kanë përfunduar 23 persona të pranga prej tyre 16 zyrtarë të Ministrisë së Infrastrukturës, 1 menaxher, 3 mjekë dhe 1 psikolog, 2 personat me inicialet A.T dhe P.T., nga një auto shkollë në Fushë Kosovë.

Prokuroria Themelore në Prishtinë, përmes një komunikate ka njoftuar opinionin se gjatë aksionit të sotshëm të Policisë së Kosovës, me urdhër të Prokurorit të Shtetit, janë arrestuar njëzetetre (23) persona të dyshuar se kanë kryer veprat penale: “Keqpërdorim i pozitës apo autoritetit zyrtar” dhe “Marrja e ryshfetit”. Prokuroria njofton se nga njëzetetre (23) personat e arrestuar pesë (5) prej tyre me inicialet B.J., A.K., L.B., H.J. dhe Sh.S., janë një (1) menaxher, tre (3) mjekë dhe një (1) psikolog i një ordinance, si dhe janë arrestuar dy personat me inicialet A.T dhe P.T., nga një auto shkollë në Fushë Kosovë.

Lexo po ashtu Policia jep detaje: Për patentë shoferë paguhej deri në një mijë euro

Po ashtu, nga Ministria e Infrastrukturës janë arrestuar gjashtëmbëdhjetë (16) persona me inicialet, F.K., N.L., F.L., L.A., E.B., L.Sh., F.A., F.F., A.M., A.R., N.B., F.E., M.M., A.B., Sh.Z dhe D.Zh., prej tyre, Drejtor, menaxher dhe ekzaminer të Departamentit për Patentë Shofer.

Personat e lartcekur dyshohet se u kanë mundësuar personave të tjerë që të pajisen me patentë shofer të kategorive të ndryshme pa i kaluar testet e nevojshme, në kundërvlerë të parave në vlera të ndryshme, varësisht prej kategorisë që kanë qenë të interesuar ta marrin.

Lexo po ashtu Dallaveret me patentë shoferë, policia arreston disa persona

Gjithashtu, nga ky aksion janë sekuestruar, teste për provim me shkrim, dy DVR të kamerave, dy fletore të regjistrit të kandidateve për patentë shofer, si dhe dhjetë fletore të kandidatëve që janë pajisur me certifikata, të gjitha këto prova relevante që do të përdorën si dëshmi në procedura gjyqësore. Me aktvendim të prokurorit të shtetit të gjithë të dyshuarve u është shqiptuar masa e ndalimit prej 48 orëve. /Telegrafi/