Site icon Telegrafi

Prokuroria jep detaje nga dhunimi i të miturës në Vushtrri dhe gruas në Suharekë

Rastet e dhunimit janë shpeshtuar kohëve të fundit në vendin tonë. Vetëm gjatë 24 orëve të fundit janë raportuar dy raste të tilla në Vushtrri dhe Suharekë, ku viktima ishin një e mitur dhe një grua.

Në Vushtrri një e mitur u dhunua nga një i dyshuar, i cili është arrestuar menjëherë nga policia.

Sipas policisë rasti ka ndodhur të martën rreth orës 10:00.

Lexo po ashtu Një tjetër e mitur dhunohet në Vushtrri, policia arreston të dyshuarin

“Policia gjatë patrullimit kanë takuar duke qëndruar në rrugë të dyshuarin mashkull kosovar i cili ishte duke mbajtur me forcë viktimë femër kosovare të mitur. Të njëjtit janë shoqëruar në NJHP-Prishtinë dhe gjatë intervistimit kanë pranuar se me dëshirën e dy palëve kanë kryer marrëdhënie seksuale”, thuhet në raportin e policisë.

Lidhur me këtë rast, Telegrafi ka mësuar se e mitura është nga komuna e Drenasit, ndërkaq i dyshuari është diku i moshës rreth 21 vjeç.

Nga Prokuroria Themelore e Prishtinës i kanë thënë Telegrafit se i dyshuari është ndaluar për 48 orë me urdhër të prokurorit dhe se për detaje tjera nuk mund të japin më shumë informacione për shkak se rasti i takon procedurës për të mitur.

Ndërkaq viktimë e dhunimit ishte edhe një grua në Suharekë, ku lidhur me këtë rast policia arrestoi tre të dyshuar, dy prej të cilëve janë dërguar në mbajtje.

Lidhur me këtë nga Prokuroria Themelore e Prizrenit, në një përgjigje për Telegrafin ka bërë të ditur se personat e ndaluar për 48 orë janë Sh.U dhe I.U.

Ndaj të njëjtëve pritet që të paraqitet kërkesa për caktimin e paraburgimit.

Lexo po ashtu Dhunohet një grua në Suharekë, arrestohen tre të dyshuar

“Referuar kërkesës tuaj për informacione, ju njoftojmë se Prokuroria Themelore në Prizren – Departamenti i Krimeve të Rënda, me urdhër të prokurorit ka ndaluar për 48 orë,  dy persona të dyshuar, me inicialet Sh.U., dhe I.U., për shkak të dyshimit të bazuar se të njëjtit kanë kryer veprën penale “Dhunimi” nga neni 227, të Kodit Penal të Republikës së Kosovës (KPRK). Për dy (2) të pandehurit, prokuroria brenda afatit ligjor do të parashtroj kërkesë për caktim të masës së paraburgimit.  Për shkak të ndjeshmërisë dhe konfidencialitetit të rastit, në këtë fazë nuk mund t’ju japim detaje tjera”, thuhet në përgjigjen e Prokurorisë.

Telegrafi ka mësuar se dy personat Sh.U dhe I.U që dyshohet se kanë dhunuar një gura, janë djem të axhës.

Ndryshe dje në Lipjan është arrestuar një kadet i Policisë së Kosovës, pasi që i njëjti dyshohet se ka dhunuar një vajzë të mitur.

Ndaj të njëjtit Prokurori i Shtetit ka lëshuar aktvendim për caktimin e masës së ndalimit për 48 orë me dyshimin e kryerjes se veprës penale “Dhunimi”. /Telegrafi/

Exit mobile version