Site icon Telegrafi

Prokuroria e Prishtinës pranon kallëzim penal ndaj “VisaMetric”

Prokuroria Themelore në Prishtinë të hënën e 15 majit ka pranuar kallëzim penal ndaj kompanisë “VisaMetric”, së cilës Gjykata Komerciale e Kosovës ia ka ndaluar që të marrë nga 30 euro për shërbime postare për pasaportat e qytetarëve.

Lajmin për Telegrafin e ka konfirmuar zëdhënësja e kësaj prokurorie, Laureta Ulaj, e cila ka thënë se Prokurori i Shtetit menjëherë ka filluar me ndërmarrjen e veprimeve në drejtim të veprës penale “Mosekzekutimi i vendimeve gjyqësore”.

Lexo po ashtu A do t'ju kthehen mjetet qytetarëve që paguan nga 30 euro në "VisaMetric"? Flet avokati Abdullahu

“Lidhur me këtë çështje, të hënën Prokuroria Themelore në Prishtinë ka pranuar kallëzim penal. Prokurori i Shtetit menjëherë ka filluar me ndërmarrjen e veprimeve sipas dispozitave ligjore të KPPRK-së, dhe atë në drejtim të veprës penale “Mosekzekutimi i vendimeve gjyqësore”, nga neni 394, paragrafi 2 të Kodit Penal të Republikës së Kosovës. Për zhvillimet e radhës lidhur me këtë rast do të njoftoheni në kohë”, ka thënë Ulaj.

Ndryshe, ndonëse i ishte ndaluar me vendim gjyqësor praktika e detyrimit të aplikantëve për të paguar shërbimin postar në rastet kur aplikojnë për viza, kompania VisaMetric, e cila është e kontraktuar nga Ambasada e Gjermanisë, vazhdonte avazin e vjetër duke i faturuar 30 euro aplikantëve për shërbimin postar. Arsyetimi i kompanisë ishte se nuk e ka pranuar vendimin.

E të martën, plot një muaj pas marrjes së vendimit, “VisaMetric”, njoftoi publikisht se e ka pranuar vendimin e gjykatës dhe se do ta respektojë./Telegrafi/

Exit mobile version