Site icon Telegrafi

Prokuroria e Posaçme kthehet sot në Kuvendin e Shqipërisë, pret leje për arrestim e Ahmetajt i cili raportohet se ka dalë jashtë vendit

Katër orë mbledhje me dyer të mbyllura në Kryesinë e Kuvendit ditën e djeshme nuk i mjaftuan Këshillit të Mandateve për t’i dhënë një përgjigje Prokurorisë së Posaçme për arrestimin e ish-zëvendëskryeministrit Arben Ahmetaj.

Lajmi i vetëm që prodhoi ky takim ishte konfirmimi i Avokatit mbrojtës Henrik Ligori që deputeti socialist, i cili kërkohet nga drejtësia për t’i vënë prangat, nuk ndodhet në Shqipëri, raporton A2 CNN.

Opozita nuk ka marrë një përgjigje nga SPAK, duke ruajtur sekretin hetimor, se pse në dosjen që ishte vënë në dispozicion Kuvendit nuk ishte emri i Kryeministrit dhe Kryetarit të Bashkisë Tiranë.

Si një deputet që ka akses në dosjen e inceneratorëve, Gazmend Bardhi pretendon se në dokumentet që ka lexuar janë të shkruar edhe emra të tjerë të mazhorancës.

Lexo po ashtu Ahmetaj ka lënë Shqipërinë, pak orë para se Prokuroria të kërkonte arrestimin e tij

Mazhoranca nuk kishte pyetje mbi akuzat konkrete që rëndojnë ndaj ish zv/kryeministrit, përveç shqetësimeve teknike nësë SPAK ka patur presion politik dhe nëse kërkesa për arrest i plotëson kriteret.

Dumani konfirmoi që kërkesa është e arsyetuar me prova. Deputetët e mazhorancës mbështetën kërkesën e përfaqësuesve ligjorë të Arben Ahmetaj për ta shtyrë mbledhjen ditën e mërkurë në orën 16:00 me argumentin që duhet të njihen me dosjen. Ndërsa opozita e kundërshtoi, por pa fuqi për të ndryshuar vendimin e deputetëve socialistë.

Përveçse diskutimet me dyer të mbyllura, në këtë mbledhje Kuvendi nuk lejoi as të shkrepet një fotografi. Kjo është bërë arsye që demokratët dhe socialistët për më shumë se 60 minuta të përplasen verbalisht me akuza ndaj njëri-tjetrit, në prani të kreut të SPAK, prokurores Enkeleda Minollai, Agjentëve të BKH-së dhe dy avokatëve të Ahmetaj. /Telegrafi/

Exit mobile version