Prokuroria e Posaçme tha të hënën se dërgoi për gjykim pranë Gjykatës së Posaçme kundër Korrupsionit dhe Krimit të Organizuar çështjen në ngarkim të Kryetarit të Bashkisë së Mallakastrës Qerim Ismailaj, i akuzuar për fallsifikim.
Sipas Prokurorisë së Posaçme “nga veprimet hetimore është konkluduar se Qerim Ismailaj, ka konsumuar elementët e veprës penale “Falsifikimi i vulave, i stampave ose i formularëve” e për rrjedhojë, i është komunikuar akuza dhe është marrë me cilësinë e të pandehurit”.
Qerim Ismailaj ishte dënuar në vitin 2000 me 3 vite burg në mungesë në Greqi për veprën penale “Konflikt dhe përleshje”, por në formularin e dekriminalizimit, kur kishte kantiduar për zgjedhjet vendore të vitit 2019 nuk e kishte deklaruar këtë dënim.
Kryetari i Bashkisë së Mallakastrës Qerim Ismailaj ishte kallëzuar në Prokurorinë e Posaçme në gusht të këtij viti nga Partia Demokratike për kryerjen e veprës penale të “Falsifikimit të vulave, stampave ose formularëve”, që dënohet deri në 4 vite burgim.
Megjithë reagimin e Partisë Demokratike Komisioneri Shtetëror i Zgjedhjeve Ilirjan Celibashi kishte vendosur konfirmimin në detyrë të kryebashkiakut të Mallakastrës duke pranuar argumentin e avokatëve të tij mbrojtës që Ismailaj nuk ka qenë në dijeni të dënimit në Greqi./VOA