Prokuroria Themelore Publike njofton se deri në mbylljen e qendrave të votimit, dita e zgjedhjeve ka kaluar përgjithësisht pa shqetësime të mëdha dhe raportime për incidente zgjedhore.
Nga të dhënat e marra nga prokuroritë publike në këtë vend, në Prokurorinë Publike të Kavadarit është ngritur rast pas kallëzimit ndaj një personi nga Negotina, i cili është kallëzuar nga një qytetar për vepër penale – Shkelje e lirisë së përcaktimit të zgjedhësve nga neni 160 i Kodit Penal.
“Sipas pretendimeve, e denoncuara ka tentuar të ndikojë përmes telefonit që raportuesja të votojë për një parti politike, duke përmendur se ajo është përfituese e asistencës IPARD. Rasti është në procedurë para hetimore dhe po ndërmerren veprime për të vërtetuar nëse ekzistojnë elementet e veprës penale të raportuar apo veprës tjetër penale që ndiqet sipas detyrës zyrtare”.
“Në PTHP Koçani janë pranuar njoftime nga MPB-ja për ngjarje të raportuara lidhur me transportin e organizuar të votuesve deri në vendvotim. Prokurori publik menjëherë ka dhënë udhëzime për kontrollimin dhe mbledhjen e të dhënave nëse gjatë transportit votuesit janë prekur në ndonjë mënyrë në lidhje me ushtrimin e të drejtës së tyre të votës”.
“Përveç kësaj, prokuroritë publike veprojnë dhe bëjnë kontrolle për të gjitha ngjarjet e tjera të izoluara për të cilat opinioni ishte i informuar më parë. Të gjitha dyshimet e mundshme për vepra penale që mund të prishin procesin zgjedhor do të hetohen dhe rastet do të kenë prioritet për veprim në prokuroritë publike”, thonë nga PTHP./Telegrafi/