Telegrafi

Prokurori i Hagës, Khan: Pesë vende kanë kërkuar që të hetohen krimet në Gaza dhe Bregun Perëndimor

Pesë vende kanë kërkuar që të nisë një hetim për krime lufte në lidhje me situatën në Gazë dhe Bregun Perëndimor, ka thënë prokurori i Gjykatës Ndërkombëtare Penale (ICC).

Kërkesa është bërë nga Afrika e Jugut, Bangladeshi, Bolivia, Ishujt Komore dhe Xhibuti, ka thënë prokurori Karim Khan.

Lexo po ashtu Vdesin të gjithë pacientët në njësinë e kujdesit intensiv të spitalit Al-Shifa në Gaza

Afrika e Jugut tha se referimi u bë “për të siguruar që ICC t’i kushtojë vëmendje të menjëhershme situatës serioze në Palestinë”.

Duhet të theksohet se ICC tash e sa kohë është duke kryer hetime të vazhdueshme për “situatën në Palestinë”, ku dyshohet se janë krime që nga 13 qershor i vitit 2014. Kjo do të thotë se kërkesa e sotme do të ketë një ndikim të kufizuar.

Muajin e kaluar, Khan tha se zyra e tij ka juridiksion të dyanshëm, si për sulmin e Hamasit ndaj Izraelit, ashtu edhe për çdo krim të kryer si pjesë e përgjigjes së Izraelit.

Në një deklaratë, zyra e prokurorit tha se deri më tani ka “mbledhur një sasi të konsiderueshme informacioneve dhe dëshmive” për krimet në territorin palestinez dhe izraelit.

Lexo po ashtu Si u shkatërrua ‘Muri i Hekurt’ i teknologjisë së lartë të Izraelit më 7 tetor nga Hamasi?

Izraeli nuk është anëtar i gjykatës dhe nuk e njeh juridiksionin e saj.

ICC mund të hetojë shtetet që nuk e njohin gjykatën në disa rrethana, përfshirë kur dyshohet se krimet janë kryer në territorin e vendeve anëtare. /Telegrafi/