Pesë vende kanë kërkuar që të nisë një hetim për krime lufte në lidhje me situatën në Gazë dhe Bregun Perëndimor, ka thënë prokurori i Gjykatës Ndërkombëtare Penale (ICC).
Kërkesa është bërë nga Afrika e Jugut, Bangladeshi, Bolivia, Ishujt Komore dhe Xhibuti, ka thënë prokurori Karim Khan.
Afrika e Jugut tha se referimi u bë “për të siguruar që ICC t’i kushtojë vëmendje të menjëhershme situatës serioze në Palestinë”.
Duhet të theksohet se ICC tash e sa kohë është duke kryer hetime të vazhdueshme për “situatën në Palestinë”, ku dyshohet se janë krime që nga 13 qershor i vitit 2014. Kjo do të thotë se kërkesa e sotme do të ketë një ndikim të kufizuar.
Muajin e kaluar, Khan tha se zyra e tij ka juridiksion të dyanshëm, si për sulmin e Hamasit ndaj Izraelit, ashtu edhe për çdo krim të kryer si pjesë e përgjigjes së Izraelit.
Në një deklaratë, zyra e prokurorit tha se deri më tani ka “mbledhur një sasi të konsiderueshme informacioneve dhe dëshmive” për krimet në territorin palestinez dhe izraelit.
Izraeli nuk është anëtar i gjykatës dhe nuk e njeh juridiksionin e saj.
ICC mund të hetojë shtetet që nuk e njohin gjykatën në disa rrethana, përfshirë kur dyshohet se krimet janë kryer në territorin e vendeve anëtare. /Telegrafi/