Prokurori i PSP-së Gavrill Bubevski, sot në Prokurorinë Themelore në Shkup ka ngritur padi penale kundër avokatit të të akuzuarit Ejup Alimi në rastin “Titanik 3”, Mefail Arsllani.
Në padinë e dorëzuar, Bubevski thekson se më 10 nëntor të vitit të kaluar në parkingun para Qendrës Tregtare “Mavrovasja” avokati Mefail Arsllani, e ka kërcënuar atë në lidhje me rastin “Titanik 3”, përcjell Telegrafi Maqedoni.
Në padi shkruan se derisa dëshmitari A.I, e ka drejtuar makinën në të cilën ndodhej prokurorja Fatime Fetai, duke dashur të gjejë vend për parkim e ka vërejtur avokatin Mefail Arsllani.
Dëshmitari e ka hapur dritaren e makinës dhe e ka përshëndetur duke i thënë: “Mirdita Mefo, çfarë bën, si je?”, ndërsa avokati Arsllani me ton të lartë dhe agresiv i është përgjigjur: “Ej nuk dimë çfarë t’i bëjmë kësaj pasi është e jona (duke e drejtuar dorën kah Fatime Fetai), por këtë shkaun do ta copëtojmë”.
Gavrill Bubevski në padi ka theksuar se pas këtyre fjalëve është ndjerë i rrezikuar./Telegrafi/