Telegrafi

Prokurimi në shëndetësi, Shqipëria me mungesë të theksuar të transparencës dhe llogaridhënies

Situata e menaxhimin të fondeve në sektorin e shëndetësisë në Shqipëri ka mungesa të theksuara të transparencës dhe llogaridhënies.

Kështu thuhet në raportin e fundit të “Together for Life” mbi tenderët emergjentë të Ministrisë së Shëndetësisë duke shtuar se Shqipëria është ndër të paktat vende në Evropë dhe rajon që nuk ka publikuar të dhëna dhe raporte mbi efektivitetin e përdorimit të fondeve.

Raporti thekson se mungesa e transparencës në përdorimin e fondeve që shkuan për menaxhimin e pandemisë COVID-19 ishte aq e madhe sa u konsiderua si shqetësim nga Fondi Monetar Ndërkombëtar (FMN).

FMN ka bërë të ditur se prokurimet emergjente për përballimin e pandemisë nuk ishin transparente dhe i kërkoi Kontrollit të Lartë të Shtetit të intensifikojë kontrollet për publikimet e tyre.

Në anën tjetër, Ministria e Shëndetësisë dhe Qendra Spitalore “Nënë Tereza” në Tiranë u renditen në krye të enteve publike për riskun e lartë të zbatimit të ligjit dhe të përdorimit të fondeve publike.

“Nga marsi 2020 deri në maj 2021, 18 për qind e totalit të kontratave me kompanitë për furnizime me materiale që kishin lidhje me COVID-19 ishin sekrete”, shkruhet në raport.

Lexo po ashtu Shqipëri, 7 viktima në 24 orët e fundit si pasojë e coronavirusit

Ndërkohë, ka pasur ankesa në Komisionin e Prokurimit Publik për 532 ose 8.2 për qind të 6,440 procedurave të publikuara për prokurime, pa përfshirë ankande dhe koncesione, gjatë vitit 2020.

Aty theksohet se, Ministria e Shëndetësisë u rendit e dyta pas Agjencisë së Blerjeve të Përqendruara për numrin e madh të ankesave, me 26 gjithsej ose rreth 5 për qind të totali të ankesave.

Raporti ka shtuar gjithashtu se janë gjetur mospërputhje të të dhënave të kontratave të nënshkruara të publikuara nga Agjencia e Prokurimit Publik me ato të regjistruara në Sistemin e Thesarit të Ministrisë së Financave.

Ministria e Shëndetësisë u rendit e para për këtë shkelje, ku sipas Agjencisë të Prokurimeve Publike, janë zhvilluar 601 procedura prokurimi, ndërkohë në sistemin e thesarit rezultojnë vetëm 5 kontrata. /Telegrafi/