Projektligji për Trustin do të jetë sot para anëtarëve të Komisionit për Buxhet, ndërkaq javën tjetër pritet të jetë në rend dite në seancën e Kuvendit të Kosovës.
Deputeti i Partisë Demokratike të Kosovës, Bekim Haxhiu në një prononcim për Telegrafin konfirmoi se Projektligji për Trustin do të trajtohet të mërkurën në Komisionin për Buxhet, Punë dhe Transfere, ndërsa tha se të enjten në orën 12:00, qytetarët në Prishtinë do të mblidhen për të protestuar, “Pro tërheqjes së 30 për qindëshit të trustit”.
“Kryesia e Kuvendit nuk e ka proceduar për seancë ngase Projektligji ende nuk është shqyrtuar në Komision për Buxhet Punë dhe Transfere. Ka një neglizhim, duket i ‘qëllimshëm’, por se të mërkurën do të trajtohet në Komision, ndërsa të enjten qytetarët ‘Pro tërheqjes së 30 të Trustit’ kanë paralajmëruar protestë në ora 12:00 në Prishtinë”, ka thënë Haxhiu.
Ndërkaq, shefi i Grupit Parlamentar të Partisë Demokratike të Kosovës, Abelard Tahiri ka bërë të ditur se kërkesa e tyre për tërheqjen e kursimeve nga Fondi Pensional do të shqyrtohet në seancën e javës së ardhshme.
“Ju e dini që ne si PDK e kemi marr një iniciativë për ri sjelljen e Ligjit të Trustit në Kuvendin e Kosovës. Që t’i tërheqin një pjesë të tyre, kanë ndodhur disa vonesa, ashtu siç jeni informuar që komisioni do ta trajtoj nesër këtë projektligj. Ne kemi vendosur që për shkak të mostrajtimit në kohën e duhur t’i japim kohë dhe këtë javë edhe javën tjetër”, ishte shprehur Tahiri.
Krahas PDK-së edhe partia tjetër opozitare Aleanca për Ardhmërinë e Kosovës (AAK) ka kërkuar nga Qeveria e Kosovës që sa më parë ta sjellin në Kuvend, Projektligjin që u mundëson qytetarëve tërheqjen e mjeteve nga Trusti.
Shefi i Grupit Parlamentar të Aleancës për Ardhmërinë e Kosovës (AAK), Besnik Tahiri ka thënë se çështja e Trustit duhet të sillet në Kuvend, sipas tij edhe deputetët e shumicës e kanë kuptuar rëndësinë e tërheqjes së kursimeve personale nga Trusti, në këtë kohë krize ekonomike.
Por njëjtë nuk kanë thënë nga Lëvizja Vetëvendosje. Sekretari për media dhe komunikim i kësaj partie, Arlind Manxhuka ditë më parë ka thënë për Telegrafin se qëndrimi i LVV-së është i njëjtë me atë të vitit 2020 kur “Qeveria antikushtetuese Hoti pati bërë të njëjtin veprim të paprecedentë duke prekur kursimet e qytetarëve dhe duke rrezikuar Trustin”.
Ndërkaq edhe tërheqjen e kursimeve pensionale, qytetarët e shohin ndihmesë të madhe për të përballuar trendin e rritjes së çmimeve të konsumit.
Ndryshe, deputeti Haxhiu në emër të Grupit Parlamentar më 9 mars pati dorëzuar në Kuvend, Projektligjin për plotësimin dhe ndryshimin e Ligjit për Fondin e Kursimeve Pensionale, i cili do të mundësonte tërheqjen e këtyre mjeteve.
Kujtojmë se një tërheqje e ngjashme deri në 10 për qind është bërë në fund të vitit 2020, pas përkeqësimit të gjendjes financiare të familjeve, për shkak të pandemisë COVID-19. Në raportin e gjashtëmujorit të parë të 2021-së, Trusti kishte njoftuar janë tërhequr rreth 200 milionë euro nga më shumë se 427 mijë kontribuues. /Telegrafi/