Telegrafi

Profesori i njohur turk i gjeofizikës arrestohet për shkak të deklaratave të bëra në rrjetet sociale

Profesori turk i gjeofizikës Ovgun Ahmet Ercan u ndalua dje, pasi prokuroria në qytetin turk Malatya nisi hetimet për shkak të deklaratave të tij të publikuara në rrjetet sociale.

Ercan bëri të ditur se “gratë e pambrojtura janë dhunuar, sepse ushtria nuk ka reaguar në dy ditët e para (pas tërmeteve shkatërruese që ndodhën në fillim të muajit të kaluar)”, transmeton Telegrafi

Ai akuzohet për veprën penale “nxitja e urrejtjes dhe armiqësisë”. Nga departamenti i policisë është dorëzuar në gjykatën kompetente. Gazeta turke Hurriyet raportoi se ai ishte planifikuar të merrte pjesë në panelin e sotëm për tërmetet.

Lexo po ashtu Erdogan e konfirmon se nuk shtyhet data e zgjedhjeve presidenciale dhe parlamentare – do të mbahen më 14 maj

Ercan është shumë i njohur për publikun turk dhe më gjerë, e në veçanti pas tërmeteve shkatërruese. Ai shumë shpesh i shpreh pikëpamjet e tij në rrjetet sociale, pra në Twitter.

Kujtojmë se në fillim të muajit të kaluar Turqia dhe Siria u goditën nga dy tërmete shkatërruese, si pasojë e të cilave humbën jetën mbi 50 mijë persona, ndërsa dëmet materiale kapin vlerën e dhjetëra miliarda dollarëve. /Telegrafi/