Profesori turk i gjeofizikës Ovgun Ahmet Ercan u ndalua dje, pasi prokuroria në qytetin turk Malatya nisi hetimet për shkak të deklaratave të tij të publikuara në rrjetet sociale.
Ercan bëri të ditur se “gratë e pambrojtura janë dhunuar, sepse ushtria nuk ka reaguar në dy ditët e para (pas tërmeteve shkatërruese që ndodhën në fillim të muajit të kaluar)”, transmeton Telegrafi
Ai akuzohet për veprën penale “nxitja e urrejtjes dhe armiqësisë”. Nga departamenti i policisë është dorëzuar në gjykatën kompetente. Gazeta turke Hurriyet raportoi se ai ishte planifikuar të merrte pjesë në panelin e sotëm për tërmetet.
Ercan është shumë i njohur për publikun turk dhe më gjerë, e në veçanti pas tërmeteve shkatërruese. Ai shumë shpesh i shpreh pikëpamjet e tij në rrjetet sociale, pra në Twitter.
Kujtojmë se në fillim të muajit të kaluar Turqia dhe Siria u goditën nga dy tërmete shkatërruese, si pasojë e të cilave humbën jetën mbi 50 mijë persona, ndërsa dëmet materiale kapin vlerën e dhjetëra miliarda dollarëve. /Telegrafi/